E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Shqipëria nga një histori e vështirë, tani shumë pranë BE-së dhe NATO-s.

 

Shqipëria, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, mundësitë dhe sfidat që vendi ka përpara ishin në fokusin e fjalës që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë mbajti përpara personaliteteve botërore të ekonomisë dhe menaxhimit dhe rreth 100 dekanëve të shkollave të menaxhimit nga 27 vende, nga Universitet më të njohur si Harvard, Universitete të Strasburgut, New Yorkut, Rusisë, Austrisë, Londrës, Spanjës, Italisë, Sllovenisë etj.

Në këtë konferencë të një rëndësie të veçantë, organizuar nga CEEMAN (Shoqata e menaxhimit dhe zhvillimit të Europës Qendrore dhe Lindore), e cila përmbledh rreth 170 shkolla menaxhimi në 43 vende, mori pjesë edhe  Erhard Busek Koordinator i Inisiativës së Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

E ftuar e veçantë në konferencën vjetore Edukimi i menaxhimit në realitet e tregjeve në zhvillim, e cila këtë vit u zhvillua  në Tiranë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli foli rreth zhvillimeve më të fundit, reformave në proces dhe pritshmërive të Shqipërisë në procet integruese.
Pasi falënderoi organizatorët që zgjodhën këtë vit Shqipërinë si vendi mikpritës i kësaj konference, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se pas një historie të vështirë mbijetese, Shqipëria është sot shumë pranë anëtarësimit në BE dhe NATO, falë reformave dhe vullnetit të fortë politik.

Ne ecëm përpara, theksoi ajo, dhe me mbështetjen e vendeve mike ushqyem ëndrrën europiane, guxuam reforma kurajoze, arritëm transformime të jashtëzakonshme.

Kryetarja e Kuvendit nënvizoi faktet e raportit të fundit të Bankës Botërore që e rendit Shqipërinë të dytën në botë për ritmin e reformave si dhe raportin  e Transparency International që ve në dukje performancën e lartë të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit foli rreth punës për kodin elektoral dhe vijimin e reformës në drejtësi, si dy procese prioritare në Kuvendin e Shqipërisë.

Ajo theksoi domosdoshmërinë e reformës ligjore për të arritur një sistem drejtësie të pakorruptuar, efektiv dhe transparent, pasi qytetarët shqiptarë e meritojnë këtë.

Përpara nesh, tha Kryetarja e Kuvendit, janë shumë sfida, dhe jemi gati të përballemi me to sepse e dimë cila është pritshmëria dhe sepse jemi të ndërgjegjshëm që vetëm përmes punës dhe angazhimit të plotë mund të arrijmë rezultate.

 
 


 
 
 


 
 

 

 

 

 

 

 

 
 
 


 

 

 

 

 

 

 

 

 


 

 

 
 
 

 
 
 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›