E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi vijon diskutimet per zevendesimin e Muhos ne KQZ

Rreth orës 11.30 minuta Kuvendi i Shqipërisë ka nisur shqyrtimin e kërkesës së Partisë demokratike për lirimin nga detyra të anëtarit të LSI-së në KQZ Ilirjan Muho.
Seanca e sotme e Kuvendit pritet të jetë një seancë e fortë debatesh mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që për diskutim janë regjistruar 120 deputetë.

Në fillim të seancës plenare, deputeti demokrat Edi Paloka lexoi relacionin e PD-së, ku renditen arsyet e kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI. Sipas Palokës, prishja e baraspeshës së KQZ-së, pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, përbën kërcënim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Ahmetaj: Nisma e PD-së, antiligjore dhe antikushtetuese
Ora 12:20 - Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas Ahmetajt, kryeministri Berisha po tregon se KQZ nuk do të jetë e pavarur, por do ndjekë një komandë politike.
“Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike”- u shpreh Ahmetaj.
Ai gjithashtu e akuzoi Berishën se ka fobi nga vota e lirë dhe nga zgjedhjet e lira. “Ajo që Berisha po bën me KQZ kërkon të zgjasë agoninë e vetes dhe agoninë e shqiptarëve. Gjë që ne nuk do ta lejojmë. Në 23 qershor ju dorëzoni pushtetin në duart e shqiptarëve.”- deklaroi Ahmetaj.

Dokle: Problemi i PD-së është se si të vjedhë votat
Ora 11:50 - Deputeti Namik Dokle ka theksuar në fjalën e tij se problemi i Shqipërisë janë korbat e zinj që u janë sulur institucioneve të pavarura”
Ai ka bërë apel të mos lejohet të shkelet pavarësia e institucioneve. “Problemi i PD është gjithmonë se si të vjedhë votat,”-tha Dokle.

Gjiknuri: Po dhunohet populli në të drejtat e tij
Ora 11:40 - Deputeti Damian Gjiknuri ka qenë i pari socialist që ka nisur diskutimet në Kuvend, në lidhje me zëvendësimin ose jo të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton të manipulojë zgjedhjet përmes kontrollit të KQZ-së.
“Qëllimi i këtij zotërisë është se do KQZ për të zabotuar disa procese. Ky do të zbatojë pikë për pikë skemën që zbatoi me zgjedhjet në Tiranë. Zgjedhjet realisht janë në rrezik, këtij i intereson mbi të gjitha grabitja e certifikatës së zgjedhjeve, që të jetë prap njësoj si në ’97, për të negociuar prapë daljen e tij në politikë. Kësaj radhe nuk gjen dot një referencë ligjore. Kësaj radhe nuk ka shanse, po e provokon popullin dhe do të përballet me pasojat. Këtu po dhunohet populli në të drejtat e tij. Tërhiquni kësaj iniciative, pasi pasojat do të jenë të paparashikuara.”- u shpreh Gjiknuri, i cili shtoi se po rrezikohet seriozisht mbajtja e zgjedhjeve e lira.

Zëvendësimi i anëtarit të LSI-se ne Komisionin Qendror te zgjedhjeve do te testoje edhe njëherë tjetër shumicën përballe aleancës se re Rama-Meta. Nuk ka kompromis pak orë para votimit dhe kreu i socialistëve Edi Rama nuk ka lënë shteg për një marrëveshje.
Por gabimet e së shkuarës mund t’i kushtojnë kryesocialistit në këtë moment. Tre deputetët e pavarur Asllan Dogjani, Kastriot Islami dhe Gjovalin Kadeli janë larguar nga Partia Socialiste për shkak të prishjes sëe marrëdhënieve me kryetarin.
Duket se të tre këta deputetë po votojnë në një linjë kohët e fundit. Njëri prej tyre paralajmëroi votën pro zëvendësimit të Ilirian Muhos në KQZ.
Mbetet për t’u parë reagimi i kreut të LSI-së Ilir Meta në seancën e nesërme. 4 vite me parë ai nuk foli shumë në seancë, por tregoi se nuk e lë të kalojë lehtë një situatë të tillë.
Ligji parashikon një shumice të thjeshtë votash për zëvendësimin e anëtarit të KQZ, por votimi u shty në seancën e shkuar. Mazhoranca arriti të siguroje 72 vota në dekretimin e ministrave të rinj, dhe kreu i saj Sali Berisha duket se bazohet pikërisht në llogaritë e votimit të kaluar kur ndërmori këtë nisëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›