E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton sot qeverinë "Berisha" dhe programin

Në seancën e sotme parlamentare pritet të marrë fund edhe "odiseja" e qeverisë së re. Pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së 15 emrave të ministrave të rinj, që sipas burimeve mësohet se do të bëhet sot paradite, do të jetë Kuvendi në seancën e pasdites ai që do të miratojë emërimin e tyre për në Këshillin e Ministrave me votat e deputetëve. Po ashtu, në seancën e sotme deputetët do të miratojnë edhe programin e ri qeverisës, i cili do të paraqitet në Kuvend nga Kryeministri Berisha. Emrat e ministrave të rinj u bënë publikë pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp nga Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e emrave kryesorë, kjo për vetë faktin se grupi parlamentar i PD-së përbëhet nga potenciale të larta intelektuale dhe profesionale, ndaj edhe zgjedhja nuk ka qenë e lehtë. Kabineti i ri do të ketë në përbërjen e tij 15 ministri, një më shumë se në mandatin e kaluar. Pas, katër vjetësh Berisha ka rikthyer postin e ministrit të Shtetit, post të cilin ia ka besuar Genc Pollos. Ndërsa në krye të Ministrisë së Jashtme dhe në postin e zëvendëskryeministrit, sipas marrëveshjes së bërë me LSI-së, do të jetë kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta. Kjo forcë politike gjithashtu ka marrë nën drejtimin e saj edhe dy ministri të tjera, atë të Shëndetësisë, që do të drejtohet nga Petrit Vasili, dhe Ministrinë e Ekonomisë, e cila do të drejtohet nga Dritan Prifti. Aleati tjetër i PD-së, Partia Republikane me kryetarin e saj Fatmir Mediu, do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit. Ndërsa ministritë e tjera do të drejtohen nga deputetët e PD-së. Në krye të Ministrisë së Rendit do të jetë Lulzim Basha, në Ministrinë e Mbrojtjes, Arben Imami, në Ministrinë e Transporteve, Sokol Olldashi, në Ministrinë e Financave, Ridvan Bode, në Ministrinë e Bujqësisë, Genc Ruli, në Ministrinë e Integrimit, Majlinda Bregu, në Ministrinë e Kulturës, Ferdinand Xhaferri, në Ministrinë e Drejtësisë, Bujar Nishani dhe në Ministrinë e Arsimit, Myqerem Tafaj. Ndryshe nga lista e deputetëve, ku Kryeministri respektoi 30% e grave, me qeverinë ka ndodhur krejt e kundërta. Në mbledhjet e Këshillit të Ministrave do të ulet vetëm një femër dhe ajo është ministrja e Integrimit Bregu. Kryeministri Berisha ka larguar nga qeveria e tij tetë ministra dhe ka rikonfirmuar sërish në po të njëjtën ministri tre të tjerë, Olldashin, Boden dhe Bregun. Ndërsa pesë ministra të tjerë, si Basha, Ruli, Mediu, Nishani dhe Pollo janë rikonfirmuar sërish si pjesë e kabinetit, por jo në ministritë që ata kanë mbajtur për gati katër vjet me radhë. Gjithashtu, kabineti qeverisës do të ketë në përbërjen e tij edhe shtatë ministra të rinj, tre nga të cilët vijnë nga LSI-ja, pas marrëveshjes së bashkëqeverisjes së bërë mes kësaj force politike dhe PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›