E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak i Tiranës, zëvendësohen 10 këshilltarë

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të emërojë këshilltarët e rinj në strukturës e tij, për shkak të konstituimit të Parlamentit të ri, ku një pjesë e mirë e këshilltarëve janë mandatuar si deputetë. PD-ja dhe PS-ja do të zëvendësojnë 10 këshilltarët e tyre, me të cilët sot përfaqësohet në Kuvend. Flamur Noka, Luiza Xhuvani, Gent Strazimiri, Ditmir Bushati, Besnik Bare, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, Florion Mima, Adriana Gjonaj dhe Eduard Halimi do të lënë detyrën e këshilltarit për t‘iu përkushtuar detyrës së tyre të re si ligjvënës. Konstituimi i Kuvendit ka krijuar hapësira për emrat e rinj që do të zëvendësojnë në funksione të larta publike, personat që për shkak të zgjedhjes si deputetë do të lënë të gjitha detyrat e tjera. Këshilli Bashkiak i kryeqytetit përbëhet nga 55 këshilltarë dhe ka në përbërje 14 komisione, ku mes tyre renditen Komisioni për Ekonominë, Komisioni Juridik dhe të tjerë. Këshilli Bashkiak zgjidhet për një periudhë 3-vjeçare. Mandati i këshilltarit është i vlefshëm nga koha që këshilltarët bëjnë betimin dhe e nënshkruajnë atë, deri në konstituimin e këshillit pasardhës. Këshilltari që mbaron mandatin para kohe në përputhje me ligjin, lëshon një deklaratë me shkrim, ku shpjegon arsyet përkatëse. Për zëvendësimin e tij, Komisioni i Mandateve i paraqet Këshillit Bashkiak kandidatin e radhës të listës shumemërore të subjektit elektoral, të cilit ai i përkiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›