Kuvendi voton të hënën për anëtarin e ri të KQZ-së

Kuvendi pritet të votojë të hënën kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI dhe zëvendësimin e tij me një përfaqësues nga Partia Republikane.
Të enjten Kuvendi shtyu për seancën e ardhshme shqyrtimin e kërkesës për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, dhe zgjedhjen e anëtarit të ri, që do të përzgjidhet mes dy kandidaturave të propozuara nga republikanët, Klement Zguri ose Patriot Çoba.
Kërkesa e shumicës, e miratuar më 10 prill nga komisioni i Ligjeve, u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila e konsideroi një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike.
Në këtë kërkesë PD argumenton se me largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë u përmbysën raportet në KQZ dhe për pasojë edhe në komisionet e tjera të nivelit të dytë, gjë, që, sipas saj, e kalon nën kontrollin e opozitës gjithë procesin zgjedhor, duke paralajmëruar manipulime.
Një ditë më parë anëtari i KQZ, Ilirian Muho, deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen nga kjo detyrë, sikurse e kërkon maxhoranca, pasi është në ushtrim të plotë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese.