E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi zhvillon seancën e fundit parlamentare

26/07/2010 Debate mes palëve për ligjin e SHISH dhe buxhetin e shtetit

Kufizimi i mandatit të Shaqirit, PS do të tundë kartonët e kuq

Kuvendi i Shqipërisë pritet të përfshihet në debate të forta gjatë seancës së sotme parlamentare, e fundit për këtë sesion parlamentar. Amendamentet për ligjin e SHISH-it dhe ndryshimet në buxhetin e shtetit janë dy pika kyçe të zhvillimit të seancës së sotme. Gjatë seancës pritet të diskutohet vetën një amendament i paketës së amendamenteve “Hoxha”, pikërisht ai që kufizon mandatin e kreut të SHISH-it. Pikërisht për këtë nen Partia Demokratike ka mbështetjen edhe të LSI-së, e cila “e tradhtoi” seancën e shkuar, kur bëhej fjalë për të gjitha ndryshimet në ligj. “Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar, dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të tjera, edhe për institucionin në fjalë. Kjo është më se normale që të vendoset një afat ligjor, po njëkohësisht është e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me aleancën”, ka deklaruar kreu i LSI-së, Ilir Meta. Katër deputetët e kësaj lëvizjeje, dy të PDU-së dhe tre të PD-së, nuk i siguronin kësaj të fundit asnjë shumicë të thjeshtë për ndryshimet. Nuk dihet ende se çdo të ndodhë gjatë zhvillimeve të sotme, kur kundër projektit është pozicionuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili i kujton mazhorancës parimet e Aleancës së Atlantikut, diskutimet me të cilën nuk kanë përfunduar ende. Ndërkohë që ndryshe nga hera e fundit, kur në sitin e Parlamentit u publikua rendi i ditës i seancës plenare, për seancën e sotme është njoftuar vetëm orari i nisjes së seancës. Burime zyrtare nga Kuvendi deklarojnë se në seancën e sotme janë në rend të ditës ato çështje që u shtynë nga seanca e 22 korrikut. Në këtë mënyrë, sot janë përfshirë në rend të ditës edhe projektet që kërkojnë edhe votat e opozitës.

Votimi i PS-së

Partia Socialiste, pavarësisht linjës së saj politike të mosvotimit deri në braktisje të sallës, sot do të dalë mbi të. Shkak për këtë vendim të ri të selisë rozë janë ndryshimet e ligjit për SHISH-in, për të cilin socialistët do të ngrenë kartonët e kuq. Seancën e fundit parlamentare, pavarësisht mospjesëmarrjes në votim, deputetët e PS-së qëndruan në sallë, për të “ruajtur” kundërshtarët e tyre politikë në rast të ndonjë surprize, atë të miratimit të ligjit, dhe pse u deklarua shtyrja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›