Tolaj sërish në shënjestër

U bë cak i sulmit edhe një herë. Në veturën personale të Ilir Tolajt, sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, të premten është zbuluar një mjet i dyshuar eksplozivi, në sasi prej dy kilogramësh.
Ishin punonjësit e autoservisit “Kaqandolli”, në të cilin Tolaj e kishte dërguar makinën e tij për kontrollim, ata që e zbuluan mjetin shpërthyes.
Derisa po e bënin kontrollimin teknik të makinës, punëtorët kanë vërejtur një mjet të dyshimtë dhe menjëherë kanë telefonuar policinë, e cila me të marrë informacionin, ka dalë në vendin e ngjarjes.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se rreth orës 12, policia ka marrë një informacion nga një autoservis për një mjet të dyshuar në një makinë private.
“Të premten në orën 12 e 35 minuta kemi pranuar një informatë se në autoservisin ‘Kaqandolli’, që ndodhet në zonën industriale në Fushë Kosovë, punëtorët kanë dyshuar se ka një mjet shpërthyes”, ka treguar Kelani për Express.
Sipas tij, policia menjëherë pas kësaj telefonate, ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë bërë sigurimin e vendit dhe kanë evakuimin e qytetarëve për shkaqe sigurie”, thotë zëdhënësi Kelani.
Sipas tij, policia ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes, në mënyrë që të kuptohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë. “Ne e kemi bërë deaktivizimin e mjetit të dyshuar. Kurse ky eksploziv ka qenë i montuar me teledirigjues”.
“Lloji i makinës është ‘Opel Frontera’ me targa lokale, kurse në pronësi të kujt është kjo makinë do të merret vesh pasi të bëhen të gjitha hetimet e nevojshme”, u shpreh Kelani, derisa shtoi se rasti po hetohet dhe motivi i kësaj vepre ende nuk dihet.
Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë. “MSH dënon çdo lloj veprimesh që rrezikojnë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe u bën thirrje organeve kompetente, që t’i ndriçojnë rrethanat dhe të zbulojnë aktorët e vendosjes së mjetit të rrezikshëm në veturën në shfrytëzim nga familja Tolaj”, thuhet në reagim.
Kjo është hera e dytë që Tolaj vihet në shënjestër. Edhe në tetor të vitit të kaluar, një mjet shpërthyes ishte vendosur në veturën e vajzës së Tolajt. Vetë Tolaj, në një bisedë për Express, e kishte cilësuar sulmin si një akt të njerëzve të lig. Ai kishte shprehur dyshimet se me këtë shpërthim, rrjetet e përfituesve të kontratave, tenderëve dhe keqbërësit në Ministrinë e Shëndetësisë kanë tentuar ta frikësojnë, për shkak se ai e kishte prishur rrjetin.