Kuzhe: Euro 2012? Ta nisim me fitore
Për Josip Kuzhenë, trajnerin e Shqipërisë, miqësorja me Kosovën nuk ka pasur vetëm verat e një feste, apo thjesht të një miqësoreje rutinë, por ajo ka shërbyer edhe si një test i mirëfilltë për disa lojtarë të Kategorisë Superiore, të cilët mund të shihen si alternativa të Kombëtares në të ardhmen. Megjithatë, për momentin, mendja e teknikut kroat të kuqezinjve është e përqendruar te Grupi D eliminator tek Euro 2012. Pas miqësores së fituar 2-3 përballë Kosovës, me rastin e 2-vjetorit të Pavarësisë së shtetit më të ri të botës, Josip Kuzhe, pak para nisjes për në Shqipëri, në aeroportin e Prishtinës, ka rrëfyer dëshirat dhe pritshmëritë e tij nga impenjimi në këtë grup, ku bëjnë pjesë edhe Franca, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Një nga zhvillimet më të afërta vjen sot, kur rreth mesditës, presidenti i FSHF-së, Armad Duka, së bashku me trajnerin Kuzhe do të udhëtojnë drejt Luksemburgut, ku edhe është paravendosur të hidhet shorti i kalendarit të ndeshjeve në Grupin D. Kur duheshin edhe 48 orë nga përcaktimi i radhës së takimeve në grupin tonë, tekniku kroat nënvizoi se ndeshjen e parë e dëshironte në Tiranë, gjë që në rast të një fitoreje do të shërbente për të karikuar skuadrën për një performancë të mirë në vazhdimësi. “Duam patjetër që ndeshjen e parë ta luajmë në Shqipëri, ndoshta jo domosdoshmërisht kundër Francës, theksoi Kuzhe. Mirë do të ishte që të luanim edhe kundër Bosnjë-Hercegovinës”. Drejtuesi i stolit të Kombëtares kuqezi la të kuptohej se nuk do të kishte ndeshje në shkurt, ashtu siç ndodhi në eliminatoret e Botërorit 2010 me Maltën. Ajo datë rezultoi një zhgënjim i vërtetë, pasi pjesa më e madhe e futbollistëve të përfaqësueses së drejtuar në atë periudhë nga Ari Han ishin jashtë forme dhe nuk aktivizoheshin, ndërsa takimi në “La Valeta” u mbyll me një barazim zhgënjyes 0-0.
Trajneri i kuqezinjve këmbëngul se nga skuadra e tij gjithsesi do të kërkojë vetëm fitoren në ndeshjen e parë, pa marrë parasysh se cili do të jetë kundërshtari, që do të mund të zbresë në “Qemal Stafa”. “E rëndësishme për ne është që të fitojmë në ndeshjen e parë, për t’i nisur eliminatoret në mënyrën e duhur. Për një skuadër si Shqipëria, kjo është vërtet e rëndësishme, pasi ajo ngre moralin e skuadrës dhe ndikon në vetëbesimin e futbollistëve. A do të pëlqenit të luanit me Rumaninë në ndeshjen e parë? Për mua kjo nuk përbën asnjë problem, objektivi kryesor është që t’i fillojmë sfidat në grup në fushën tonë. Por, jam paksa i shqetësuar rreth realizimit të këtij synimi, pasi të gjitha skuadrat do ta kërkojnë një gjë të tillë, pra ta zhvillojnë ndeshjen e parë në shtëpi”. Nëse sot, skuadrat nuk arrijnë në një marrëveshje gjatë bisedimeve, atëherë, sipas rregullit të UEFA-s, është vetë organizata më e madhe e futbollit në Europë ajo që vendos me short.