Kuzhe: Bosnja, një ndeshje që duhet fituar
Kuzhe del i qetë përpara gazetarëve dhe duket se mbi të nuk rëndon aspak pesha e ndeshjeve të qershorit. Por në të vërtetë nuk është ashtu. Ndonëse ai bën ndonjë shaka sporadike dhe vë buzën në gaz, kuptohet lehtësisht se trajneri është në ankth për fatet e kombëtares kuqezi, pasi ndeshja me Bosnjen do të përcaktonte shumë në lidhje me të ardhmen e kuqezinjve në këto eliminatore. Megjithatë, Kuzhe duket plot shpresë dhe premton se më 7 qershor nuk do të rreshtojë një formacion mbrojtës.
E keni menduar listën e kombëtares për ndeshjen me Bosnjën dhe nëse po, a ka ndonjë të re?
Sigurisht që e kam përgatitur një listë, por nuk është ende lista përfundimtare, pasi pritet të ndyshojë, për shkak dëmtimesh ose shkaqe të tjera. Por nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Do të jenë ata lojtarë që kam grumbulluar gjithnjë.
Cila është gjendja e tyre?
I kam ndjekur të gjithë lojtarët dhe kam informacion për gjendjen e lojtarëve tanë, por edhe për lojtarët e Bosnjës. Di se gjithçka është mirë, por do të marrim informacion më ët detajuar një javë përpara ndeshjes.
Rikthimi i Dallkut dhe Currit, a ju jep më shumë garanci për formacionin?
Jam vërtet i lumtur për këtë gjë. Gjatë prezencës sime në Shqipëri, këta dy lojtarë kanë qenë pika shumë të forta në ekipi dhe rikthimi i Dallkut dhe sidomos i Currit pas shumë kohësh, janë lajme vërtet të mira.
Moment të mirë po kalon edhe Kapllani, sidomos nëse kemi parasysh repartin ofensiv. Madje edhe Bakaj po shënon gola.
Ne kemi edhe Salihin dhe Bogdanin dhe luajmë herë me një sulmues, herë me të dy. Por për mua Kapllani është një lojtar i rëndësishëm për mua, për të tanishmen dhe për të ardhmen. Më vjen mirë që Kapllani po shënon kaq shumë gola dhe që po luan. Ai po e merr veten pas dëmtimit që pësoi dhe për mua Kapllani është një lojtar që e kam në konsideratë.
Kjo do të thotë se Kapllani nuk do të jetë me Bosnjen?
Unë dov të doja që ai të luante dhe të ishte “OK” por më parë më duhet të verefikoj se ai është vërtet në formë.
Rezultati me Bosnjen e vë në pikëpyetje vijimin e bashkëpunimit tuaj me FSHF-në sidomos po të kemi parasysh faktin se ju kërkon edhe Dinamo e Zagrebit?
Jo, nuk mendoj kështu. Ajo që ka rëndësi është ndeshja që kemi përpara, fakti se duhet të fitojmë një ndeshje. Por situata është gjithnjë e njëjtë, unë dua të fitoj dhe të vijoj të fitoj për të qenë gjithnjë pozitiv në punë time. Gazetat duan të shkruajnë dhe kur në mes është Dinamo e Zagrebit, gjithnjë del emri im. Është një histori që vijon krej kohësh. Rreth dy javë më parë, kur Dinamo shkarkoi trajnerin e saj, më telefonoi presidenti dhe më kërkoi një takim. Unë i thashë se mund të takohemi si miq, por jo për çështje pune, sepse kam edhe një vit kontratë me federatën shqiptare. Ia thashë qartë se nuk jam kandidat, por gazetarët duan të shkruajnë.
Pas ndeshjes me Bjellorusinë deklaruat se kundër Bosnjës do të luajmë në sulm. Ka ndryshuar mendimi juaj dy muaj më pas?
Unë dua ta fitoj atë ndeshje dhe për të fituar duhet të shënojmë, që të shënojmë duhet të luajmë duke mos menduar gjithnjë për mbojtjen. Duhet të luajmë shumë të organizuar mirë.
Besoni se problemet që kanë ata me federatën do të ndikojnë në ekipin kombëtar?
Nuk mendoj kështu, ata kanë ambicie dhe duan të jenë në Europian. Ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe do të jenë të përgatitur për ndeshjen tonë.