E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: “Largimi im, jo surprizë”

/* */

Josip Kuzhe i dha fund aventurës së tij në stolin e Shqipërisë, pas 880 ditësh në krye të Kombëtares sonë, qysh kur kroati mori drejtimin e përfaqësueses, më 20 maj 2009.

Edhe në daljen e tij të fundit nga selia e Federatës Shqiptare të Futbollit, Josip Kuzhe, edhe pse i kishte dhënë lamtumirës Kombëtares dhe Shqipërisë, nuk harroi të dhuronte buzëqeshjen e tij diplomatike. Me një qetësi olimpike, kroati e tha në mënyrën më të thjeshtë: “Nuk do të jem më trajneri i Shqipërisë. Nuk e konsideroj surprizë mosrinovimin e kontratës”.

Pasuesi i holandezit Ari Han (një nga dështimet më të mëdha të presidentit të FSHF-së, Armando Duka), zhvilloi 24 ndeshje në stolin e Shqipërisë, duke pasur një bilanc përgjithësisht të suksesshëm (8 fitore, 7 barazime dhe 9 humbje).

Zoti Kuzhe, sapo përfunduat takimin e shumëpërfolur me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Cili ishte rezultati i tij?

Pata një takim me zotin Duka. Ne vendosëm të mos e vazhdojmë bashkëpunimim tonë, që nga 1 janari i vitit 2012, për shkak se nuk ka dhe shumë kohë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ndoshta kjo ishte dhe zgjidhja më e mirë. Sigurisht, unë do të ndjek rrugën time. Federata, gjiahshtu, është duke menduar, se është një periudhë e re. Vendosëm së bashku se, është koha për një trajner të ri. Gjithsesi, është mirë të prisni edhe komunikatën zyrtare të Federatës.

A keni ndonjë plan për të ardhmen tuaj?

E ardhmja ime? Si gjithmonë është futbolli (qesh). Unë do të vazhdoj rrugën time. Dëshiroj të punoj në ndonjë klub. Por do ta shohim. Duke u nisur nga 1 janari, unë do të jem në kërkim të një pune të re.

Mister, a ishte mosrinovimi i kontratës një surpizë për ju?

Jo, jo. Mund të them se e kisha përgatitur veten prej një kohë të gjatë për këtë moment.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›