E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Europes Paris Sg kerkon maksimumin

Milionat e shpenzuara në merkato kanë shpërblyer Paris SG, i cili kryeson renditjen në kampionatin francez, por skuadra pariziene kërkon të shtrijë ecurinë e saj pozitive në këtë sezon edhe në Ligën e Europës. Skuadra e drejtuar nga Noine Kombouare do të luajë ndeshjen e saj të dytë në grupin F të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në futbollin europian, ndërsa do të zbresë në transfertë kundër Sllovan Bratislava.

Paris SG mban vendin e parë në kampionat me tre pikë më shumë se Montpellier dhe Lyon, ndërsa në ndeshjen e parë të Ligës së Europës ka mundur Salzburgun dhe kryeson grupin me pikë të barabarta me spanjollët e Athletic Bilbao. Për këtë arsye francezët do të kërkojnë maksimumin në fushën sllovake për të konfirmuar parashikimet që e shohin Paris SG si një nga favoritët për të fituar trofeun e Ligës së Europës. Me financa shumë të mëdha pas blerjes së klubit nga fondacioni i Katarit, formacioni parizien kërkon të kthehet në majat e futbollit europian.

Pengesa e radhës është Slovan Bratislava, ku francezët duhet t’i bëjnë llogaritë me disa mungesa të rëndësishme, përfshirë Bonmer të dëmtuar. Megjithatë, tekniku Kombouare mund të mbështetet te yjet e skuadrës së tij Pastore, Menez dhe Gameiro, i cili shënoi tre gola në ndeshjen e fundit të kampionatit. Ndërkohë, sot në mbrëmje do të luhen dhe ndeshjet e tjera në 12 grupet e Ligës së Europës.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›