E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe në panik, me skuadër të “rinjsh” në Argjentinë

TIRANË- Luhet miqësorja më e rëndësishme në historinë e kombëtares, por ajo rrezikon të kthehet edhe më e turpshmja. Kur duhen vetëm 6 ditë nga ndeshja me Argjentinën e Lionel Mesit në Buenos Aires, përfaqësuesja kuqezi duket vërtet në telashe.

Thirrjes së trajnerit Josip Kuzhe nuk i janë përgjigjur shumë prej yjeve të skuadrës, të cilët, duke qenë se nuk është një datë zyrtare e FIFA-s, nuk kanë pranuar të prishin planet e tyre për të luajtur një ndeshje miqësore. Kështu, futbollistët kryesorë të skuadrës nuk kanë pranuar të jenë në Buenos Aires më 20 qershor, duke nisur nga Bogdani, Skela, Lala, Cana, Curri, Dallku apo Salihi.

Por, probleme kanë shfaqur edhe futbollistë të tjerë, një pjesë e të cilëve për shkak të pushimeve, një pjesë për shkak se janë në kërkim të skuadrave të reja dhe një pjesë, sepse nuk i lënë klubet e tyre të luajnë një ndeshje të kotë, ku edhe mund të dëmtohen. Problemi më i madh qëndron te mbrojtësit, pasi për momentin, nuk ka asnjë nga titullarët të gatshëm.

Kuzhe duhet të shpallte listën ditën e sotme, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur pikërisht për shkak se trajneri nuk kishte asgjë të konfirmuar. Ai kërkonte të paktën të kishte të gatshëm dy futbollistët që luajnë me Karabak, Ansi Agollin e Admir Telin, por klubi azer ka këmbëngulur që ata të mos lihen të lirë. Kësisoj, Shqipëria pritet të shkojë në Argjentinë me një formacion të mbushur me të rinj dhe që mund të rrezikojë një turpërim historik përballë një formacioni të frikshëm.

Yjet e ekipit nuk i janë përgjigjur thirrjes së Kuzhe, duke gjetur justifikime të ndryshme. Kështu, Erjon Bogdani pret lindjen e djalit, Lorik Cana është në tratativa të ethshme në merkato, Debatik Curri ka vetëm tre ditë që është martuar, Ervin Skela ka probleme familjare, ndërsa Hamdi Salihin nuk e lë klubi. Në fakt, një vështirësi e tillë ishte e njohur që në momentin që u caktua miqësorja, por askush nuk e mendonte në këto përmasa. Futbollistët aktualisht janë me pushime dhe nuk duken të gatshëm t’i prishin ato për një ndeshje miqësore, qoftë kjo edhe ndaj skuadrës së Lionel Mesit.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›