Djukanoviç lobon për Kosovën
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Fatmir Gashi dhe sekretari i saj Nazmi Paçarada, të martën në Podgoricë janë pritur në një takim zyrtar nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Malit të Zi, Milo Djukanovic dhe sekretari Petar Popovic.
Gjatë këtij takimi, udhëheqësit e basketbollit kosovar kanë kërkuar ndihmë nga pala malazeze në procesin e ndërkombëtarizmit të FBK-së, proces ky i cili po ecën shumë ngadalë.
Siç dihet, kohë më parë udhëheqësit e shtëpisë së basketbollit kosovar kanë bërë kërkesë në Ligën Ballkanike, që në garat e saj të merr pjesë edhe ndonjë klub kosovar, para se FBK-ja të anëtarësohet në FIBA.
Pjesë e kësaj lige është edhe Mali i Zi, Andaj ish kreu i këtij vendi, Djukanoviç, u ka premtuar kosovarëve se do ta mbështesë kërkesën e tyre, posa ajo të hidhet në shqyrtim në bordin e kësaj lige. Madje, Djukanoviç e Popovic u kanë premtuar Gashit e Paçaradës se do të lobojnë edhe te vendet tjera anëtare të kësaj lige që edhe ato ta mbështesin kërkesën e Prishtinës.
Siç dihet, Djukanoviç njëkohësisht është njëra prej figurave më të njohura në skenën politike të Ballkanit. Ai është kryetar i partisë në pushtet. Në kohën kur Djukanoviç ishte udhëheqës i Malit të Zi, shteti fqinj kishte vendosur ta njihte pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.
“Djukanoviç u shpreh se meqenëse e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës, pa asnjë hezitim dhe fuqishëm do të punojmë për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për pranimin e FBK-së në FIBA”, thuhet në një njoftim të FBK-së.
“Delegacioni i FBK-së është i kënaqur me pritjen dhe me qasjen e zyrtarëve të lartë të Federatës malazeze, për bashkëpunim reciprok dhe për gatishmërinë e tyre për ta mbështetur basketbollin kosovar drejt avancimit dhe ndërkombëtarizimit”, thuhet pos tjerash në këtë njoftim.
Por, derisa basketbolli kosovar të ndërkombëtarizohet, malazezët janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim reciprok me kosovarët në shumë fusha, me qëllim që vendi ynë të mos i ndiejë fort pasojat e këtij izolimi nga arena ndërkombëtare.