Kuzheja kthen gardën e vjetër të sulmit
Ndeshja kundër Danimarkës ka filluar, edhe pse vërshëllima e parë gjyqtari dhe topi i parë i lojës do të luhet në “Qemal Stafa”, më 9 shtator. Të paktën virtualisht kundër kryesuesve të grupit tonë (1) eliminator për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, ndaj të cilëve kemi pësuar edhe humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto kualifikuese, kemi listën e 20 të besuarëve të trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe. Takimi kundër Danimarkës, kryesuese absolute e grupit tonë, do të jetë ndeshja e dytë zyrtare e Kuzhesë, pas asaj të humbur 2-1 në minutën e fundit me Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Në tri ndeshje në drejtimin e përfaqësueses, një zyrtare e dy miqësore, trajneri Kuzhe i ka provuar të tre rezultatet: një fitore me Qipron (6-1, miqësore), një barazim me Gjeorgjinë (1-1, miqësore) dhe një humbje me Portugalinë (1-2, zyrtare).
PORTA – Janë dy portierë të thirrur, Samir Ujkani dhe Isli Hidi (Arjan Beqaj është në rikuperim e sipër në Qipro), por Kuzheja duhet të zgjedhë njërin prej tyre. Dilema e kroatit nuk është e vogël. 28-vjeçari Hidi (11 ndeshje me përfaqësuesen) nuk e mbron portën e Krivbasit në takimet e fundit në Premier Ligën ukraianase , ndërkohë që 21-vjeçari Ujkani (2 ndeshje) është duke bërë një përformancë të bukur me Novarën e Serisë C1 italiane. Ndërsa Hidit ende i rëndojnë gafat në dy ndeshjet e fundit zyrtare me Kombëtaren, ato me Danimarkën e Portugalinë (goli i dytë i luzitanëve në minutën e fundit ishte komplet faji i tij), Ujkani shfaqi siguri në portë në dy ndeshjet e fundit miqësore me Gjeorgjinë e Qipron. Kuzhe i njeh aftësitë e të dyve, dhe ndoshta eksperienca mund të thotë “po” për ish-portierin e Tiranës.
MBROJTJA – Nisur edhe nga numri i kufizuar i lojtarëve të thirrur (5 mbrojtës të pastër) dhe nga spostimi tradicional i Lorik Canës nga zona shkatërruese e mesfushës në zemër të mbrojtjes, “kuarteti” i repartit difensiv është thuajse i lexuar: Vangjeli në ta majtë, Cana e Curri në qendër dhe Dallku në të djathtë. Lila nuk duket se është preferencë e parë e Kuzhesë, ndërkohë që Beqiri (luajti si mesfushor shkatërrues kundër Portugalisë) nuk luajti kundër Qipros. Të dy këta të fundit janë alternativa të mira zëvendësuese. Mbrojtja e rreshtuar sipas variantit taktik të Kuzhesë ka rezultuar efikase në një farë mënyre. Pavarësisht se ka pësuar katër gola në tri ndeshjet e fundit është treguar solide në mbulimin e kundërshtarëve dhe veprimeve të harmonizuara të saj. Sa për të kujtuar, në humbjen më të thellë të Shqipërisë në këto kualifikuese, ajo kundër Danimarkës, Lorik Cana nuk luajti për shkak të kartonëve të verdhë, çka krijoi një të çarë të madhe në murin mbrojtës të Kombëtares.
MESFUSHA – “Rombi Bulku-Duro-Agolli-Skela” i ideuar nga Kuzheja funksionoi shumë mirë në ndeshjen e fundit, madje ishte spektakolar. Bulku, i cili do të luajë ndeshjen e tij të 20-të me fanellën e Kombëtares kundër Suedisë, dëshmoi forcë e pjekuri, duke qenë një “mushkëri” e pa lodhur e mesfushës. Agolli nga e majta (dy gola të tij spektakolarë në dy ndeshjet e fundit miqësore) ishte një anësor i papërballueshëm, e Duro (i gjithanshëm në rolet e tij) me lëvizjet nga e djathta drejt qëndrës mbetet një rrezik konstant për kundërsharët. Kapiteni Skela (ai zyrtari, Lala, ende nuk e ka pasur fatin të jetë nën urdhrat e Kuzhesë, edhe pse janë luajtur tre ndeshje) është “truri” i skuadrës, pavarësisht se golashënuesi i dytë më i mirë i Shqipëirisë (12 gola; Bushi, 14), është ende në kërkim të një ekipi, që mund t’i plotësojë kërkesat e tij financiare. Lika, Hyka, Vila e Sefa kompletojnë me emrat e tyre mesfushën.
SULMI – Është një rikthim te “buka e vjetër”. Erjon Bogdanin (51 ndeshje, 11 gola me Kombëtaren), Edmond Kapllanin (24 ndeshje, 6 gola), Besart Berisha (16 ndeshje, 2 gola) e Hamdi Salihi (13 ndeshje, 1 gol). Trajneri Kuzhe, i cili pëlqen dukshëm skemën 4-4-2, ka mundësi të zgjedhë në ndeshjen e vështirë kundër Danimarkës, po Bogdanin e Salihin si zgjedhje të parë, skemë që e provoi me sukses kundër Qipros. Salihi fitoi dy penallti dhe dha një asist, ndërkohë që Bogdani dha një asist e shënoi një gol. Kuptohet, që përballë mbrojtjes së Danimarkës (vetëm 2 gola të pësuar në 6 ndeshje, 13 gola të realizuar) është shumë e vështirë për të realizuar, por gjithsesi, Bogdani (2 gola në këto eliminatore) e shënoi një gol kundër Portugalisë.
NDESHJET E SHQIPËRISË
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 09.09
Suedi-Shqipëri 14.10
RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 6 16
Hungaria 6 13
Portugalia 6 9
Suedia 6 9
Shqipëria 9 6
Malta 8 1
Takimi i parë
DANIMARKË-SHQIPËRI 3-0
1 prill 2009
Shqipëria: Isli Hidi, Kristi Vangjeli, Armend Dallku, Debatik Curri, Gilman Lika, Ansi Agolli, Ervin Bulku (46’ Hamdi Salihi), Klodian Duro, Ervin Skela, Dorian Bylykbashi (82’ Elvin Beqiri), Besart Berisha (85’ Migen Memelli). Trajner Ari Han
Tri rezultatet
Në tri ndeshje në drejtimin e përfaqësueses, një zyrtare e dy miqësore, trajneri Kuzhe i ka provuar të tre rezultatet: një fitore me Qipron (6-1, miqësore), një barazim me Gjeorgjinë (1-1, miqësore) dhe një humbje me Portugalinë (1-2, zyrtare).
“Kursimtar”
Kroati Kuzhe është treguar shumë i kursyer me lojtarët nga kampionati shqiptar: vetëm 3 të tillë, Andi Lila, Jetmir Sefa (të dy të Tiranës) Elvin Beqiri (Vllaznia). Trajneri nuk ka thirrur për herë të parë sulmuesin Elis Bakaj të Dinamos.
“Dhuratë” Portugalisë
Kundër Danimarkës është takimi i katërt rresht në “Qemal Stafa” dhe një fitore (e ëndërruar) ndaj danezëve, do të ishte por një “dhuratë” e paçmuar për Portugalinë.
Ekip “ideal”
Kuzheja është gjithmonë në kërkim të “ekipit ideal” shqiptar në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian. Ndeshjet kundër Danimarkës e Suedisë, do shërbejnë si “bankëprovat” e fundit.
Drejt Suedisë
Shqipëria i mbyll kualifikueset e Kampionatit Botëror me ndeshjen në transfertë kundër Suedisë. Përballja e parë në Tiranë me skuadrën e Zlatan Ibrahimoviçit përfundoi në barazim pa gola.
Bilanc gri
Pas tetë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 6 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje.
Kuqezinjtë, 11 seanca për të mundur Danimarkën
Njëmbëdhjetë seanca stërvitore dhe një test kontrolli me përfaqësuesen U-19 ka programuar trajneri Kuzhe për Kombëtaren A në kërkim të një rezultati pozitiv me Danimarkën. Seanca e parë stërvitore nis, më 1 shtator 2009 (ora 18:00), ndërkohë që ajo e fundit është, një ditë para ndeshjes zyrtare, më 8 shtator (18:00). Ndeshja miqësore me kuqezinjtë e Ramadan Shehut është programuar, më 3 shtator (18:00). Gjatë tetë ditëve të grumbullimit janë parashikuar takime të lojtareve me median, ndërkohë që vetë trajneri do ta japë konferencën e tij të vetme për shtyp, një ditë para sfidës, më 8 shtator.
Lista
1. Samir UJKANI
2. Isli HIDI
3. Kristi VANGJELI
4. Armend DALLKU
5. Elvin BEQIRI
6. Andi LILA
7. Debatik CURRI
8. Ervin BULKU
9. Ervin SKELA
10. Gilman LIKA
11. Lorik CANA
12. Ansi AGOLLI
13. Jetmir SEFA
14. Emiljan VILA
15. Klodian DURO
16. Jahmir HYKA
17. Hamdi SALIHI
18. Erjon BOGDANI
19. Edmond KAPLLANI
20. Besart BERISHA
Agjenda
1 shtator
Stërvitje: 18:00
2 shtator
Stërvitje: 10:00, 18:00
3 shtator
Stërvitje: 10:00
Ndeshje me U-19, 18:00
4 shtator
Stërvitje: 10:00, 18:00
5 shtator
Stërvitje: 10:00
6 shtator
Stërvitje: 18:00
7 shtator
Stërvitje: 10:00, 18:00
8 shtator
Stërvitje: 18:00
6 shtator
Ndeshja: 20:30
27 Gusht 2009