E Diel, 1 Nëntor 2026

Moikom Zeqo: “E vërteta e tregut të pikturës dhe inflacioni i vlerave”

Drejtori i muzeumit “Mezuraj”, Moikom Zeqo tregon si funksionon tregu i arteve pamore dhe çmimet e pikturave shqiptare

Petrika GROSI
Në intervistën ekskluzive që vijon më tej, drejtori i muzeumit privat “Mezuraj”, dr. Moikom Zeqo, rrëfen më tepër mbi funksionimin e tregut formal dhe informal të arteve vizive, mënyrën se si vlerësohen piktorët, çmimet e veprave të ndryshme të artistëve shqiptarë, luhatjet e tyre, limitet dhe përjashtimet, e deri te zbardhja e së vërtetës, duke dhënë shifra konkrete që zbardhin thashethemnajën apo vleftat shpesh të stisura nga vet autorët ose njerëz të tjerë. Sipas Zeqos, një piktor i njohur shqiptar, në ditët e sotme rrallë mund ta shesë një vepër të tij mbi 2000 euro brenda vendit dhe mbi 15 - 20 mijë euro jashtë Shqipërisë...

I dashur Moikom, si drejtor i një prej muzeumeve më të rëndësishme në Tiranë, a mund të na tregoni mënyrën sesi funksionon sot. ky tregu ynë paksa i çuditshëm i arteve pamore?
Pyetja juaj është thelbi i një problemi. Tregu i pikturave në Shqipëri, për të thënë të drejtën nuk ekziston por ekzistojnë shitjet spontane, të cilat në realitet nuk janë të licensuara. Për fat të keq, as piktorët, të cilët duhet të licensohen, as ata që blejnë pikturat, jo vetëm nuk i regjistrojnë këto shitje e blerje, por as nuk e paguajnë taksën sipas ligjit. Fjala vjen, ndonjë piktor i njohur hap ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe shet pikturat e tij, qoftë edhe me anë të njohjes personale, por nuk ka një koordinim ligjor mes institucionit që prezanton ekspozitën dhe piktorit që shet punimet e tij. Kjo është një praktikë në kundërshtim me praktikat europiane. P.sh. Në Francë, galeritë që organizojnë ekspozita kanë një marrëdhënie kontraktuale me piktorët, kanë përqindjen e tyre të fitimit, si dhe të detyrimit të taksave. Në këtë mënyrë, ato janë më të interesuara që të organizojnë ekspozita prestigjoze, ku tregu i pikturave merr një formë institucionale. Në Shqipëri, për herë të parë këtë praktikë ne e kemi realizuar në muzeumin “Mezuraj”. Piktori Artur Muharremi është i licensuar dhe marrëdhëniet me institucionin tonë privat i ka sipas kontratës ligjore. Kjo kontratë tregon saktësisht detyrimet që ka piktori ndaj institucionit, regjistron të gjitha blerjet dhe paguhen të gjitha taksat në shtet. Kjo praktikë është shumë e rëndësishme sepse në vetvete përbën një informacion zyrtar, se çfarë veprash arti blihen dhe regjistrohen. Mund të them me bindje se shitjet spontane të veprave të artit që bëhen në Shqipëri, nuk kanë asnjë regjistrim zyrtar, as nuk kartelizohen dhe mungon tërësisht informacioni për to.

Sipas jush, tregu i pikturës në Shqipëri është i brishtë dhe spontan. Po, a mund të organizohet ky treg dhe a ekziston legjislacioni përkatës për të?
Për fatin e mirë legjislacioni ekziston, por vetëm në letër, sepse nuk vihet në zbatim. Normalisht, artistët figurativë duhet të licensohen të gjithë, po ashtu, mënyra e shitjes së veprave të tyre duhet të ketë një karakter të hapur, transparent dhe të zyrtarizuar. Piktori ose skulptori që bën vepra arti duhet të licensohet në mënyrë që për të, të zbatohet edhe një e drejtë tjetër ligjore që e ka legjislacioni shqiptar, siç është e drejta e autorit dhe e pronës intelektuale. Kjo e drejtë përcakton që çdo shumëfishim i një vepre të caktuar, qoftë në formë posteri, kartoline, apo në formën e botimeve të ndryshme, apo edhe të prezantimit televiziv, të ketë një përqindje të caktuar të fitimit për autorin që i funksionalizohet kjo vepër.

A mund të ndërhyjë shteti dhe si mund të ndërhyjë kur këto piktura shiten privatisht te blerësit që nga studiot e piktorëve?
Shteti ka rolin e tij për një organizim të qëndrueshëm të tregut, pa ndërhyrë në nismat private. Shteti, me legjislacionin dhe detyrimet e taksave, si dhe me dhënien e licensave, krijon një strukturë që tregu të jetë konkret dhe i vazhdueshëm. Shteti ka të përcaktuar në ligj edhe njohjen e së drejtës së ankandit. Vërtet që shitjet mund të bëhen edhe privatisht, por jo pa një regjistrim. Regjistrimi i veprave të artit, disa prej të cilave mund të kenë dhe vlera të veçanta në rrafshin kombëtar, duhet të bëhet në mënyrë që këto vlera të mos mbeten anonime dhe tregu i arteve figurative të jetë legal e transparent, duke pasur një paralele me të gjitha tipoligjitë e tregjeve të tjera.

Shohim piktorë që deklarojnë se nuk i shesin veprat e tyre nën 3 mijë euro, të tjerë nën 5 mijë, apo edhe nën 10 mijë euro. Sa të vërteta dhe të bazuara janë këto shifra mbi vlerat e tregut?
Çështja e caktimit të çmimit duhet të ketë disa standarde. Këtu dua të bëj një dallim; është gjë tjetër tregu i pikturave komerciale të veprave që përgjithësisht i shërbejnë mobilimit të shtëpive, pa pretendime artistike të veçanta dhe nuk dua të diskutoj për këtë lloj tregu, sepse karakteri komercial është i rëndomtë, nuk përbën ndonjë shqetësim të tipit estetik dhe të vlerave të vërteta. Pyetja juaj, mesa duket lidhet me veprat artistike që kanë vlera estetike dhe që duhet të krijojnë tregun real, e pse jo, edhe me dinjitet. Çmimet, përgjithësisht vendosen në mënyrë subjektive nga piktorët, të cilët si të thuash, bëjnë edhe pazar. Di shumë piktorë me emër, që në fillm fare kanë kërkuar për një pikturë të tyre 10 mijë euro, e pastaj e kanë shitur veprën për 500 euro.

Kush e vendos standardin?
Te ne nuk ekziston një kritikë profesioniste apo një grup specialistësh që janë instrumenti për të caktuar standardin. Ky standard që ekziston sot për blerjet, i cili nga praktika dhe njohja që kam unë, bën shitjen e pikturave dhe të piktorëve shumë të njohur në shumën 500 - 3000 euro, përcaktohet më tepër nga takati dhe mundësia financiare e blerësve. Përgjithësisht, është krijuar një brez koleksionistësh, biznesmenë, të cilët këto 18 vjet kanë blerë shumë piktura nga piktorë të njohur dhe këta përbëjnë të vetmin grup shoqëror që vazhdon të blejë vepra arti. Njerëz intelektualë që e çmojnë dhe e vlerësojnë artin nuk blejnë vepra sipas këtij standardi, kurse institucionet shtetërore dhe ato private, përgjithësisht blejnë vepra arti jo më të shtrenjta se 1 000 euro. Institucionet shtetërore si Galeria Kombëtare e Arteve kanë fonde të kufizuara. Nëse i afrohet një pikturë e panjohur e Kolë Idromenos, mundësia blerëse e GKA-së nuk i tejkalon 1 000 eurot, ndërkohë që piktura mund të kushtojë mbi 5 mijë euro. Kështu, kemi një zhvendosje dhe janë personat privatë që mund të blejnë një vepër të nivelit kombëtar në shumën 5 mijë euro. Por, meqënëse këto veprime nuk regjistrohen, nuk u bëhen as kartelat, krijohet një boshllëk informacioni dhe për shumë piktorë të shquar të traditës nuk e dimë se ku shkojnë veprat e tyre. Pra, kemi një situatë problematike.

Mbetemi te çmimet; a ndikohet tregu ynë nga tregu i jashtëm i arteve pamore apo piktorët tanë nuk i kalojnë dot kufijtë?
Mund të them se tregu i veprave të artit në Shqipëri ka një nivel shumë më të ulët se tregu i jashtëm. Nuk mendoj se tregu i jashtëm ka ndikuar shumë te ne, por di disa raste kur piktorë si Bashkim Ahmeti dhe Artur Muharremi kanë bërë shitjet e tyre, fjala vjen në SHBA e në Francë, të veprave të artit me 15 -20 mijë euro, ndërkohë që po të njëjtat vepra, në Shqipëri nuk kanë mundur t’i shisnin më shumë se 2000 euro. Që standardi i tregut të brendshëm t’i afrohet atij të tregut të jashtëm të pikturave, duhet një integrim dhe një lidhje midis tyre, gjë që sot nuk ekziston. Ritheksoj se, shitjet në tregun e jashtëm, piktorët tanë i kanë bërë nëpërmjet institucioneve e galerive. Sukses të madh kanë pasur edhe albumet që ka botuar muzeu “Mezuraj”, të cilat janë përdorur si subjekte publiciteti për galeritë e huaja, madje, prej tyre janë porositur dhe vepra të veçanta për t’u blerë. Disa nga veprat e “Mezuraj” janë blerë nga galeri në Angli e në Francë. Kjo shtron çështjen se sa të njohur janë piktorët shqiptarë në botë. Pa albume dhe pa siglën e institucionit, piktorët shqiptarë e kanë shumë të vështirë të hyjnë në tregun e jashtëm dhe të paguhen siç duhet.

Një nga faktorët vendimtarë të vlerësimit të veprave e të piktorëve janë ankadet. Po te ne si funksionon?
Ligji për ankandet ekziston në Shqipëri. Para dy vjetësh institucioni ynë privat kërkoi të organizonte ankandin e pikturave në Shqipëri por ende gjithçka ka mbetur një projekt. Ankandi ka një numër parametrash ligjore në lidhje me shtetin, të cilat duhen respektuar. Deri më sot janë bërë disa përpjekje por mund të them se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë që nuk e ka të realizuar në mënyrë institucionale ankandin. Mendoj se kjo rrugë është e pashmangshme dhe një ditë ankandi do të realizohet edhe në vendin tonë.

Duke u nisur nga shifrat e muzeut tuaj, si ka qenë raporti i blerjes dhe shitjes së pikturave gjatë kohëve të fundit?
Nuk kemi një statistikë të saktë për të tjerët, por për muzeun “Mezuraj”, dy vitet e fundit kanë pasur një vijimësi prej afro 50-80 blerjesh dhe mund të them që është i vetmi institucion që ka bërë kaq shumë blerje, duke shlyer edhe detyrimet financiare të taksave. Nga njohjet që kam pasur me piktorët shqiptarë, kam konstatuar se dy vitet e fundit ka një rënie të dukshme të blerjeve të veprave të tyre dhe përgjithësisht, piktorët ankohen se nuk kanë bërë shitje. Piktorë të shquar si Hasan Nallbani, Gazmend Leka etj., të cilët kanë krijuar vepra të shkëlqyera kohët e fundit dhe kanë hapur ekspozita të suksesshme, pavarësisht kësaj e ndiejnë që veprat e tyre nuk janë shitur sepse ka rënë fuqia blerëse e tregut. Kjo krijon një vështirësi ekzistenciale për piktorët e vërtetë, sepse piktura kërkon edhe shumë elemente e materiale si ngjyrat, kanavacat e kornizat që piktorët i blejnë me paratë e tyre.

Sa u takon shitjeve, a ka pasur blerës të huaj?
Shitjet kanë qenë jo shumë të mëdha e natyrisht, ka pasur edhe blerës të huaj. Gjithçka është e certifikuar, madje edhe veprat që janë bërë dhurata nga muzeumi.

Së fundi, a kemi shtrirje të tregut të pikturës në Kosovë dhe a ka kërkesa për punët e piktorëve kosovarë në Shqipëri?
Kjo shtrirje do të ishte një alternativë e shkëlqyer por nuk di ndonjë rast që piktorët shqiptarë të shesin veprat e tyre në Kosovë dhe as që piktorët e Kosovës, të shesin veprat e tyre në Shqipëri. Pse e them këtë? Gjatë këtyre viteve të fundit janë hapur shumë ekspozita individuale e kolektive të piktorëve të Kosovës, kryesisht në Tiranë. Kjo ka qenë shumë pozitive. Natyrisht, organizimi i këtyre ekspozitave ka pasur shpenzime. Por, përveç ndonjë vepre të rallë, përgjithësisht, piktorët e Kosovës nuk kanë arritur t’i shesin veprat e tyre këtu dhe kjo përbën një mangësi të rëndësishme. Alternativa ekziston; nëse do të ketë një organizim midis ministrive të kulturës të dy vendeve, normalisht, mund të krijohen kushte e mundësi për një treg dyfish më të madh.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›