E Diel, 1 Nëntor 2026

Ky kryeministër u ka borxh shqiptarëve zhgënjimin e madh

Përshëndetje “Shekulli”! E gjej me vend të hedh në këtë blog të nderuar pjesë nga disa shënime që po i lexoj përditë me interes të shtuar mbi aferën e fundit skandaloze, që na kanë bërë peshqesh si vend e si popull, qeveritë tona të degraduara, të njëpasnjëshme:

“Qeveria shqiptare vazhdon të lërë pa përgjigje mënyrën se si është emëruar një trafikant droge në shërbimin diplomatik duke i dhënë shans dhe legjitimitet akuzave që shkojnë deri te miqtë më të afërt të familjes Berisha. Ka tri ditë që shteti shqiptar ka marrë një goditje të rëndë dhe emri i tij është përlyer nga një trafikant dhe po ashtu ka tri ditë që kryeministri i xhindosur, sikur të ishte arrestuar djali i tij, mallkon këdo që i kërkon të bëjë publik faktin se kush e emëroi këtë trafikant në shërbimin diplomatik.

Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, të cilit i mjaftojnë tri minuta kohë të verifikojë mënyrën e emërimit dhe të bëjë publikë rekomanduesit e tij, është zhdukur, ndërsa zëdhënësi Bogdani në një siklet të paparë ndonjëherë lexon me bezdi në emër të PD, për llogari të qeverisë, tekstet e dërguara nga kryeministri.

Por, pavarësisht këtyre, askush nuk ka marrë një përgjigje për atë që ka shkaktuar këtë skandal. Për tri ditë rresht shqiptarët kanë dëgjuar gjithfarë akuzash për gazetarët që ndjekin këtë lajm, sikur të ishin këta prodhuesit e drogës që iu kap shoferit me targa diplomatike dhe asnjë rresht për përgjegjësinë e shtetit shqiptar në këtë skandal. Për më tepër, zgjatja e kësaj heshtjeje dyshuese dhe paburrëria për t’i dhënë fund hetimeve për palën shqiptare, e lidhin përditë e më shumë trafikantin me njerëzit e kryeministrit dhe interesat e tij.

Z.Berisha ka nevojë të përballet me akuzat duke iu përgjigjur akuzave, jo duke shpikur banalitete për median, pasi ato thjesht nuk e shpëtojnë. Mes atyre që, sipas tij, ëndërrojnë tendera dhe atyre që i fitojnë përditë, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin. Mes atyre që jetojnë me punën e gazetarit dhe atyre që jetojnë me gjoba dhe sekserllëqe, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin. Sali Berisha iu ka borxh shqiptarëve zhgënjimin e madh dhe duhet të përgjigjet për atë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›