Të paktën do të mirëkuptonim në heshtje moralin
E vetmja kënaqësi që mbetet duke parë politikanët në ekran, është rasti kur dikush prej tyre rebelohet për një arsye njerëzore, për një kauzë njerëzore, për një sens njerëzor, për një etikë njerëzore, për një shpirt njerëzor. Dhe fundja edhe sikur ky syresh të gabojë, ne të paktën do të mirëkuptonim në heshtje moralin e mrekullueshëm të arritjes njerëzore. Por ata shahen, dhe gjerbin kafen e mëngjesit bashkë, açik mu para nesh, o njerëz. Ç’të themi për ta tjetër?
Të lexosh dhe të shkruash histori na ndihmon për të kuptuar kush jemi, por edhe për të harruar pak nga vetja. Kujtesa na bën që të mbledhim pjesët. Por të kujtosh, do të thotë edhe të harrosh, ashtu si të shkruash histori do të thotë të nxjerrësh një pjesë tënden dhe të varrosësh një tjetër. Po kush ndonjëherë u bë gati të thotë të vërtetën dhe nuk arriti të varrosë një të tjetër të vërtetë? Po kur politikanët, qeveritarët, gjykatësit dhe gazetarët të fillojnë të tregojnë histori të vërteta? Ja, kështu vjen jashtë një rrëfim, një rrëfim si ky, një rrëfim si një ëndërr. Nga ato ëndrrat e rralla dhe koherente, që nuk ke veshtirësi ta kujtosh.
Të rishkruash të shkuarën nuk mjafton. Ajo që duhet të shkruajmë është e ardhmja, të përfshihemi në koordinatat që duam ne, të mendojmë, të udhëheqim të ardhmen tonë, duke shpresuar që e ardhmja të imagjinojë pakëz dhe mbi ne. Pa e lënë në dorë të tyre.