E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa për shtyrje të ligjit mbi skafet, provë e qartë e statukuosë

Kërkesa për shtyrje të afatit të moratoriumit për skafet, është prova më e qartë që jemi në gjendje statuskuoje, pra në 3 vite që ky moratorium ka funksionuar, nuk është përmirësuar asgjë. Me të drejtë një gazetar shkruante në një periodik për këtë moratorium absurd:

“Bregdeti shqiptar nuk mund të marrë një start normal në drejtim të peshkimit e turizmit, nën masa të tilla “koreano-veriore”. Nëse Europa tha disa fjalë të mira tre vjet më parë kur hyri në fuqi ky ligj (një politikan shqiptar pyeste atëhere një zyrtar britanik se çdo të ndodhte në lumin Tamiz, sikur qeveria të ndalonte qarkullimin e varkave për një javë rresht), kjo nuk është një rrethanë lehtësuese dhe as për t’u marrë shembull.

Nëse shteti shqiptar nuk kontrollon dot 400 kilometra bregdet, ai ka për detyrë të japë llogari para shtetasve që e kanë votuar se përse ndodh një gjë e tillë. Sepse nuk mund të ndalojmë përjetësisht makinat apo edhe seksin (ky krahasim përdorej dendur para tre vjetësh), meqë jo rrallë ndodhin aksidente apo raste të përhapjes së SIDA-s. Ministri i Rendit duke kërkuar që ky bllokim të vazhdojë dha një provë të lexueshme, se të paktën në këtë drejtim, ndodhemi në një statu quo trevjeçare.

Asgjë s’paska ndodhur mesa duket, gjithçka qenka si ditën kur i vumë drynin plazheve. E kjo është për të ardhur keq, por edhe për t’u revoltuar me ata që s’dinë të bëjnë detyrën që kanë marrë përsipër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›