Ky qëndrim, të them të drejtën, më acaron jashtë mase
Është gabim kur për të diplomuarit jashtë Shqipërisë që vendosin të kthehen aty, i mëshohet idesë se: “Ishin kthyer dhe ata nga vendet ku kishin jetuar më parë, për Shqipërinë. Për Shqipërinë e perënduar, e cila vërtetë jua kishte nevojën”.
Përse? Vërtetë që njerëz të edukuar që kthehen në Shqipëri, janë një energji shumë e madhe e domosdoshme për vendin tonë, por nga ana tjetër, është fyese për popullin tonë, është absurde të pretendosh se një populli i paska shteruar energjia… Mbase jam idealiste, por mua më duket se ajo energji pozitive e ardhur nga jashtë, mbetet energji pozitive sepse populli shqiptar e mirëpret, e përqafon, e shkrin me energjinë e vet. “Shqipërinë e perënduar?”. Jo, qe besa, KURRËN E KURRËS!…
Ky qëndrim, të them të drejtën, më acaron jashtë mase… Duhet theksuar, se e kam dëgjuar si shpesh, edhe nga të rinj që kanë gati dhjetë vjet në Amerikë me jetën e përditshme amerikane, dhe kur bie fjala për Shqipërinë, hiqen si Skënderbe. Mirë që hiqen, ajo i duhet Atdheut, por ama, prit kohën, kthehu në vendlindje dhe jepe shembullin, përndryshe s’kam nge të dëgjoj askënd, as jashtë, as brenda, që ma bën vendin tim “të perënduar”!!!