Dorëzohet QSUT: Situatë serioze për barna dhe materiale
Pacientët nuk po marrin shërbim as në vendosjen e diagnozave dhe as për mjekimin e sëmundjeve në Qendrën më të madhe Spitalore “Nënë Tereza”. Shkak për këtë është bërë mungesa totale e disa medikamenteve dhe materialeve mjekësore. Pas ankesës së pacientëve por edhe shefave të shërbimeve, dhënë për gazetën, këtë alarm tashmë e ka dhënë vetë Drejtoria e QSUT-së, e cila me anë të një shkrese drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë me dije problemet me të cilat po ndeshet spitali. Ndërkohë drejtori i këtij spitali, Mati Pepa thekson se ka bërë me dije dikasterin e Shëndetësisë disa herë për mangësitë që ka në spital.
Shkresa
Për të realizuar me sukses misionin e tij, QSUT, përveç përkushtimit dhe ndjenjës së përgjegjësisë profesionale të personelit mjekësor, kërkon edhe furnizimin e plotë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore. Kështu fillon shkresa e QSUT-së drejtuar dikasterit të Shëndetësisë duke shtuar se kjo shkresë, në fakt, është përsëritje e asaj të dërguar para dy muajsh. “Duam t’iu vëmë në dijeni për situatën në të cilën ndodhemi dhe nevojën e ndërhyrjes tuaj, për të zgjidhur problemin”,- bëhet e ditur në shkresën e Drejtorisë së QSUT-së duke shtuar se, për çdo ditë, spitali përballet me një numër mjaft të madh pacientësh, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore jo vetëm për të siguruar diagnozën e sëmundjes, por edhe të mjekimit të tyre me medikamente dhe materiale mjekësore. “Nevojat janë të shumta dhe aktualisht, spitali ndodhet në vështirësi mjaft serioze, deri në mungesa totale me disa medikamente dhe materiale mjekimi”,- theksohet në shkresën e QSUT-së. Sipas drejtorit të këtij spitali, Mati Pepa, kjo situatë është bërë disa herë prezente në Ministrinë e Shëndetësisë nga ana e Drejtorisë së QSUT-së. Ndërkohë, në shkresë bëhet e ditur se kryerja e procedurave të prokurimit të medikamenteve, materialeve të konsumit të hemodializës dhe materialeve mjekësore, nga informacioni që ka Drejtoria, nuk kanë filluar ende dhe nuk dihet afati se kur do të fillojnë këto procedura.
Pacientët
Vështirësi në vendosjen e diagnozave të sëmundjeve për shkak të mosrealizimit të shumicës së analizave dhe ekzaminimeve, por edhe mangësi në mjekimin e pacientëve pasi disa medikamente dhe materiale mjekësore, mungojnë totalisht. Këtë alarm e kanë dhënë për gazetën edhe shefa shërbimesh në QSUT, të cilët kanë theksuar se duhet të merren masa emergjente. “Nuk mund të punojmë me hamendësime për vendosjen e diagnozave pasi duhen përgjigjet e analizave dhe këto analiza nuk po bëhen në spital”,-pohon shefja e shërbimit të Pneumologjisë në Pediatri, Luljeta Kota. Ndërkohë edhe shefi i shërbimit të Diabetologjisë në Pediatri, Petrit Hoxha, pohon se po përballen me mangësi serioze në spital, duke sjellë që pacientët të mos marrin shërbim korrekt.
Pacientët: Analizat në klinika private, spitali nuk i bën
Mangësitë e theksuara në spital, kanë detyruar pacientët që t’u drejtohen klinikave private për të bërë analizat dhe blerë materialet mjekësore. Këtë e pohojnë vetë pacientët, të cilët theksojnë se kjo po u kushton shumë për xhepat e tyre, pasi privatët i ofrojnë me çmime të larta. “Nuk kemi rrugë tjetër, te privatët po shkojmë pasi mjekët na thonë se analizat nuk bëhen. Kjo është e tmerrshme, të mos bëhen edhe ekzaminimet më elementare!”,- pohon Aida Pacani, njëra nga të afërmet e pacientëve të shtruar në Pediatri. Të njëjtin shqetësim pohojnë edhe pacientët e tjerë, të cilët theksojnë se duhet të merren masa emergjente për përmirësimin e situatës.
Dita e Hipertensionit, 1 në 3 persona vuajnë nga sëmundja
Është organizuar në Durrës, Dita Botërore e Hipertensionit. Përfaqësues të Ligës Botërore kanë afruar dje, për të gjitha moshat, shërbim falas të matjes së tensionit arterial. Mjekja specialiste Daniela Haxhihyesi tha se e rëndësishme në këtë fushatë të afruar falas është të ndërgjegjësohen qytetarët, të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre. Sipas saj, 1 në 3 shtetas që vuajnë nga hipertensioni nuk kanë asnjë kontakt me mjekët dhe rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. Sëmundja e hipertensionit është cilësuar nga mjekësia, si vrasëse pa zhurmë dhe nga statistikat rezulton se vetëm në Amerikë, vuajnë nga hipertensioni rreth 73 milionë njerëz. Gjithashtu, mjekja Haxhihyseni ka deklaruar se në vendin tonë nuk ka asnjë statistikë për numrin e qytetarëve të prekur nga tensioni i lartë apo i ulët i gjakut, ndërsa në Durrës është Qendra Datncer me 3600 pacientë, të cilët mbahen në vëzhgim të vijueshëm. Një fushatë e tillë është shtrirë edhe në kryeqytet dhe mjekët synojnë që të marrin përmes sondazheve, të dhëna që më pas do u shërbejë për të ndërtuar politika të tjera shërbimi.