E Diel, 1 Nëntor 2026

Përqasje dhe kontraste

 

Pranvera e këtij viti solli një dukuri të veçantë në spektrin politik shqiptar. Kemi njëfarë përqasjeje, mbase thjesht skematike, ndërmjet luftës politike që zhvillohet në SHBA, në vendin më të fuqishëm të botës, dhe asaj që ka marrë rrugë në Shqipëri, vendi i parafundit ndërmjet shteteve të reja e të vjetra të Evropës.

Ka shumë muaj që në kampin e djathtë republikan, problemet janë zgjidhur në favor të një kandidati të vetëm për postin e Presidentit të ardhshëm të SHBA, senatorit Mek Kein, ndërkohë që ndërmjet demokratëve të majtë po zgjatet pambarim një përplasje e gjatë ndërmjet ish-Zonjës së Parë të vendit, Klinton, dhe të parit kandidat me ngjyrë në historinë e Amerikës, Obama.

Diçka e ngjashme duket se po përvijohet në Shqipëri. Në kampin e djathtë nuk është vënë fare në diskutim udhëheqja e z.Berisha. Ndërkohë, përballë një lideri që arriti në postin më të lartë të Partisë Socialiste, kryesisht me punën dhe veprimtarinë e tij, zotit Edi Rama, është pozicionuar ish-kryeministri socialist, drejtuesi i LSI-së, z.Ilir Meta.

Si çdo krahasim, edhe ky i fundit, është disi i sipërfaqshëm. Klinton dhe Obama vërtetë kanë më shumë se një vit që replikojnë me njëri-tjetrin por ata bëjnë pjesë në të njëjtën parti politike dhe motivet e përplasjes lidhen me idetë e tyre për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Ato janë programore. Ndërkohë, zor se gjen një shqiptar të zakonshëm që të të rrëfejë se cilat janë ndryshimet thelbësore (duke përjashtuar sigurisht qëndrimin ndaj variantit Dushk të zgjedhjeve) që propozohen nga LSI, si kundërvënie ndaj programit dhe politikës së ndjekur nga PS.

Kontradiktat për sistemet zgjedhore nuk janë parimore. Ato thjesht frymëzohen nga frika e LSI-së, që në përballjen e drejtpërdrejtë me votuesin e majtë të marrë një rezultat shumë më poshtë parashikimit.

Mbase pak shqiptarë e dinë se në zgjedhjet e fundit në SHBA morën pjesë 33 parti politike. Vetëm dy prej tyre, Partia Republikane dhe ajo Demokrate morën 94 për qind të votave. 31 partitë e tjera u mjaftuan me 6 për qind, duke mos arritur të kenë as edhe një përfaqësues të vetëm në Kongres. Mirëpo, askush nuk u ankua për “padrejtësi” apo “puç” të organizuar kundër tyre, e aq më pak për prirje drejt një “diktature dypartiake”.

Te ne, një sistem i ri zgjedhor i propozuar me konsensusin e dy partive më të mëdha të vendit është anatemuar nga grupe dhe liderë politikë të majtë e të djathtë, shoqëruar me alarme dhe frikëra për kthimin e diktaturës në Shqipëri. E këto alarme vijnë nga drejtues partish, forcën reale të të cilave askush nuk e di. Ato kanë marrë vende në Parlament, falë bujarisë së dy të mëdhenjve të cilët, me sa duket, më në fund po e kuptojnë që thjeshtëzimi i skemave zgjedhore është në dobi jo vetëm të secilës prej tyre, por edhe në dobi të të gjithë zgjedhësve.

Fill pas 11 shtatorit 2001, administrata e Xhorxh W.Bush e pa të udhës që kundërshtari fondamentalist duhej goditur në bazat dhe strofkat e tij, sepse nuk ishte në dinjitetin e Amerikës të priste qejfpaprishur një sulm të dytë në territorin e saj. Armiku duhej goditur fort dhe rreptë atje ku ndihej i mbrojtur dhe i sigurt. Ndonëse një politikë e tillë nuk ishte në pajtim të plotë me këndvështrimin e demokratëve, ata e mbështetën presidentin Bush për hir të unitetit të kombit dhe rrezikut të përbashkët që vinte nga mjekroshët e Bin Ladenit dhe pasuesit e tij fanatikë.

Në Shqipëri, përballë qeverisë dhe Parlamentit të saj u shtrua një detyrë e rëndësishme nga ana e forumeve më të larta të NATO-s e të BE-së, ku ne aspirojmë të anëtarësohemi, për një reformë zgjedhore që duhet të zbuste konfliktualitetin politik dhe të fuqizonte stabilitetin e vendit. Me gjithë rezervat që kishte për qeverisjen aktuale, PS pranoi të bashkëpunonte me PD-në në pushtet, për të lehtësuar dërgimin e ftesës Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe për të shkurtuar rrugën e gjatë të saj drejt hyrjes në BE. Pa këtë “zbutje” zor se do të vinte ftesa e lartpërmendur. Sigurisht, një koncesion i tillë nuk ishte pa rreziqe elektorale. Por, në këto rrethana, në PS arsyetuan se interesat kombëtare ishin më të rëndësishme se ato të betejës elektorale të vitit që vjen.

Ndryshe nga SHBA, në Shqipëri, një forcë e rëndësishme e majtë kundërshtoi fort këtë konsensus. Nuk mund të supozohet se LSI nuk merr parasysh interesat kombëtare. Por për rastin në fjalë duket sikur interesat partiake peshokan më shumë.

Janë interesante komentet në popull. Njerëzit e thjeshtë nuk e tjerrin shumë gjatë. Dy-tri ditë të shkuara isha me një mik tiranas, me përkatësi tradicionale të djathtë, njeri i thjeshtë, krejt jashtë politikës, pa preferenca partiake e pa ndonjë arsim kushedi çfarë. Po shëtisnim buzë Lanës. Pasi kundroi me kënaqësi mjedisin e këndshëm të gjelbër e aq relaksues të ish-përroit të ndyrë që qelbej erë, deri tetë ose nëntë vjet të shkuara, papritmas më tha:

-E di, unë do bëhem me Edi Ramën!

-Si është e mundur, po ai është “komunist”! - e ngacmova unë.

-Leri shakatë,- më tha,- po ia fut kot, komunist është Ilir Meta!!!…

Kuptohet, ai miku im e ekzagjeroi. Megjithatë në rrumbullakimet e njerëzve “atje poshtë”, vërtetë ka teprime, ka edhe ndonjë pasaktësi, por gjithhsesi, ato japin njëfarë përthyerje kuioze të realiteteve politike që zhvillohen lart, me aktorë liderët e partive të mëdha e të vogla. Edhe ato nuk janë biseda krejt të zbrazëta. Edhe ato thonë diçka. ..

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›