Ky s’është reciprocitet
Rrahim Deda nga Podujeva të enjten e shkeli me kamion tokën e Serbisë. Për më shumë se 30 minuta qëndroi në këtë territor, rreth 100 metra nga vija që e ndanë kufirin e Kosovës me këtë shtet në Merdarë.
Ai tregon se doganierët serbë ia ndërprenë në gjysmë rrugën që kishte marrë për të dërguar lule dielli në tregun fqinj. E kthyen prapa se nuk e kishte dokumentacionin e kompletuar siç e do ligji në shtetin fqinj.
“Ma kërkuan certifikatën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të lëshuar nga strukturat paralele. Unë nuk e kisha dhe ky ishte arsyetimi për refuzimin e hyrjes me mall në Serbi”, shpjegon Deda, derisa pret në kolonën e kamionëve për të hyrë në Kosovë.
Ai shpalos të gjitha dokumentet që i ka përgatitur në harmoni me marrëveshjen e arritur më 2 shtator mes Kosovës dhe Serbisë. Por, asnjë nga to nuk i kryejnë punë derisa nuk e ka certifikatën e TVSH-së. Një kriter i ri që kërkojnë doganat serbe, për të cilin ka raportuar edhe Gazeta Express.
Para Dedës kanë provuar edhe disa prodhues tjerë kosovarë, por që kanë përjetuar të njëjtin fat.
Ndërkaq, në drejtim të Kosovës kolona e kamionëve është aq e gjatë sa që doganierët kosovarë mezi po e përballojnë këtë fluks. Mesatarisht brenda ditës thonë se po hynë mbi 100 kamionë me mallra. E që nga 16 shtatori, kur janë pezulluar masat reciproke nga qeveria e vendit, numri i përgjithshëm i maunave që kanë shkelur në Kosovë ka shkuar në mbi 500 sosh.
Për ta vërtetuar se njëmend gjendja është e tillë doli në terren edhe kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i shtyrë nga ankesat e shumta të prodhuesve vendës.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve vendëse e ndërkombëtare që të ndërhyjnë urgjent në tejkalimin e këtij problemi që po e përcjell me humbje të mëdha ekonominë e Kosovës, pasi Serbia nuk po e respekton marrëveshjen. Madje kërcënoi me radikalizim të situatës.
“AKB-ja dhe bizneset kërkojnë rikthimin e masave të reciprocitetit për shkak se ata nuk i respektojnë këto marrëveshje, ku ishin edhe ndërkombëtarët garantues. Nëse nuk ndodh, atëherë prodhuesit do të mund të marrin hapa të tjerë më radikalë”, tha Shahini.
Ai pohoi se është e pakuptimtë për faktorin ndërkombëtar që nuk po bën më shumë presion ndaj Serbisë që të respektojnë atë që e kanë nënshkruar, ku garantues është BE-ja.
Kreu i AKB-së u shfaq i ashpër edhe ndaj të gjitha bizneseve që eksportojnë për në serbi me dokumente të strukturave paralele. U bëri thirrje ta lënë këtë fenomen negativ, sepse dëmton imazhin e shtetit, i cili sipas tij, nuk duhet të dëmtohet për interesa personale e grupore me përfitime financiare.
Por, nuk tha fjalë të këqija për ata që po importojnë nga ky vend, edhe pse pranoi se shumica janë kompani kosovare.
“Nuk i dekurajoj bizneset të importojnë produkte nga ky vend. Por, i inkurajoj të ndihmojnë dhe rrisin prodhimin vendor. Ky moment është i ndjeshëm”, pohoi Shahini.
Derisa ai qëndroi në pikëkalimin kufitarë në Merdarë, dhjetëra kamionë me produkte “Made in Serbia” kaluan para syve të tij.