E Shtunë, 31 Tetor 2026

Injorojnë Gjykatën

Presidenca, Qeveria dhe shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë refuzuar ta thonë fjalën e vet rreth çështjes së imunitetit, kur janë pyetur nga Gjykata Kushtetutese. Sipas aktgjykimit, për këtë “zhurmën” më të madhe e kanë bërë Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe deputetët e Vetëvendosjes. Fatmir Limaj ndërkaq ka kontestuar autoritetin e Qeverisë për t’iu drejtuar Gjykatës rreth kësaj teme. Nga Express më 23 shtator 2011 në ora 08:19

Dy ditë pasi ka marrë vendimin, me të cilin ka sqaruar se zyrtarët e lartë nuk janë imunë nga ndjekjet penale dhe arrestimet, Gjykata Kushtetuese e ka publikuar të plotë aktgjykimin e saj.

Ky institucion ka bërë të ditur se kërkesën për sqarimin e imunitetit e ka parashtruar Kryeministri Hashim Thaçi më datën 20 korrik.

Më pas njoftohet se Kryetari i Gjykatës, Enver Hasani, kishte caktuar si gjyqtare raportuese për rastin bullgaren Snezhana Botushareva dhe kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët Robert Carolan si kryesues, si dhe Enver Hasanin dhe Iliriana Islamin.
Po ashtu bëhet e ditur se Kryetari i Gjykatës dy ditë më pas ka njoftuar krerët e institucioneve më të larta të vendit; Presidenten, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin dhe u ka kërkuar atyre që të japin përgjigje dhe komente rreth çështjeve të ngritura në kërkesë.

Në një letër të veçantë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gjykata ka kërkuar që edhe deputetët të thonë fjalën e tyre për këtë temë si dhe materiale nga faza e përgatitjes së Kushtetutës së Republikës e që lidhen me çështjen e imunitetit.

Gjykata ndërkaq ka kërkuar edhe një kopje të plotë të dosjeve të Kuvendit në lidhje me nenet që kanë të bëjnë me imunitetin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Gjykata më pas ka bërë të ditur se pas një muaji nga paraqitja e kërkesës ka pranuar një përgjigje nga deputeti Nait Hasani rreth çështjes së imunitetit, pastaj nga Kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, i cili Gjykatës ia ka bashkëngjitur edhe letrën që ia ka dërguar EULEX’it dhe opinionin ligjor nga Zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës.

Një korrespodencë tjetër mes Gjykatës dhe Kuvendit është bërë me 8 shtator, kur Gjykata ka kërkuar që legjislativi të dërgojë materialet që kishte kërkuar më herët. Kuvendi materialet e kërkuara i ka dërguar në Gjykatë të nesërmen.

Gjykata ka bërë të ditur se komente për çështjen e imunitetit ka marrë nga deputetët e Vetëvendosjes, Visar Imeri dhe nga deputetja Alma Lama.

Një përgjigje Gjykata e ka marrë edhe nga deputeti Fatmir Limaj dhe nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
“Përgjigje nuk u pranuan as nga deputetët e tjerë të Kuvendit as nga Presidentja e Republikës se Kosovës, dhe as nga Qeveria”, ka njoftuar Gjykata.

Gjykata ka njoftuar se këtë rast e ka trajtuar me prioritet.

Ajo më pas ka publikuar komentet dhe përgjigjet e palëve.

Deputeti Nait Hasani në përgjigjen e tij ka thënë se imunitetit i deputetit rregullohet me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Kushtetutës.

“Ai theksoi se imuniteti ishte i përcaktuar qartë dhe se imuniteti i deputetit mund të hiqet nga Kuvendi me kërkesën e organit kompetent për ndjekje penale”, thuhet në përgjigjen e Hasanit të cituar nga Gjykata.

Në përgjigjen e Jakup Krasniqit, të dërguar në emër të Kuvendit, ndërkaq thuhet se “Kuvendi do të mund të ndërmerrte veprime procedurale lidhur me imunitetin vetëm në rastin kur kjo kërkohet nga Prokurori i Përgjithshëm, duke u bazuar në nenin 9 (3) të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit”.

E në opinion ligjor të Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës thuhet se “ sipas dispozitave kushtetuese, nuk parashihet mundësia qe Kuvendi me rezolutë të kërkonte nga Qeveria inicimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese”.

Në këtë opinion po ashtu thuhet se "ligji lejohet ta ndjekë rrugën e tij duke vazhduar hetimin dhe gjykimin". Mandati i deputetit përfundon para kohe pas dënimit të plotfuqishëm dhe shqiptimit të dënimit prej një ose më tepër vjet burg dhe kjo mund të shpjerë në arrestim dhe burgim”.
Gjykata ka publikuar edhe komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat i ka dërguar deputeti Visar Imeri.

“Mendimi i tij ishte se deputeti nuk mund të jetë objekt i ndjekjes penale, padive civile për shkak të shprehjes së lirë të mendimeve pavarësisht formës dhe votimit apo mosvotimit për çdo vendim që merret në Kuvend. Dispozitat kushtetuese nuk e pengojnë ndjekjen penale nga organet kompetente për të gjitha veprimet e tjera të ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë”, ka cituar Imerin Gjykata.
Aty po ashtu është cituar edhe përgjigja e deputetes Alma Lama, e cila sipas Gjykatës, ka thënë se “neni 75 parashikonte imunitetin e deputetëve të Kuvendit, kurse paragrafi 2 i të njëjtit nen pengonte arrestimin dhe ndalimin e deputetit gjatë kohës që ai /ajo është duke kryer detyrat e tij/saj pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit. Ajo theksoi se nuk kishte paqartësi për këto çështje”.

Gjykata ka njoftuar se deputeti Limaj në përgjigjen e tij ka ngritur disa çështje.
“Z. Limaj theksoi se kishte një numër të çështjeve kyçe, më saktësisht, nëse në Kushtetutën e Kosovës ekzistonin dispozita lidhur me imunitetin, nëse në ligjet e Kosovës ekzistonin dispozita lidhur me imunitetin, nëse Qeveria kishte autoritet për t’iu qasur drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese dhe nëse kjo kërkesë është parashtruar brenda afateve të parapara kohore. Ai i trajtoi këto çështje në përgjigjen e tij”.
Limaj në përgjigjen e tij ka kontestuar vendimin e qeverisë për të kërkuar sqarime rreth imunitetit në Gjykatë.

“Ai ishte i mendimit se Kushtetuta nuk lejonte parashtrimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për mendime këshillëdhënëse për çështjet që kanë të bëjnë me fushëveprimin ose zbatimin e ligjit dhe se prandaj çdo kërkesë e tillë ishte ultra vires Kushtetutës. Ai ishte i mendimit se kërkesa e parashtruar sipas nenit 93 (10) të Kushtetutës u nënshtrohej dispozitave të nenit 113 të Kushtetutës dhe se Qeveria nuk kishte qasje të posaçme në Gjykatë jashtë nenit 113 të Kushtetutës”.

Më pas, Gjykata ka publikuar pyetjet që ka dërguar Qeveria për imunitetin si dhe ka arsyetuar se kërkesat janë ligjore.

Aty në mënyrë të zgjeruar arsyetohet vendimi i Gjykatës rreth çështjes së imunitetit.
“Studimet krahasimtare tregojnë se është qëndrim mbizotërues se kur një deputet arrestohet duke kryer një krim të rëndë, është detyrë e organeve që e kryejnë arrestimin që ta njoftojnë udhëheqjen e Kuvendit për arrestimin që ka ndodhur. Neni 24 (1) i Rregullores së punës thotë që organi kompetent i ndjekjes e informon menjëherë Kryetarin e Kuvendit për arrestim apo ndalim. Kjo siguron funksionim të mirëfilltë të Kuvendit”, thuhet në njërën nga pikat e aktgjykimit.

Gjykata ka dhënë përgjigje po ashtu edhe rreth imunitetit të Presidentit dhe të anëtarëve të Qeverisë.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mban nënshkrimin e gjyqtares raportuese dhe Kryetarit të Gjykatës, Enver Hasani. Aty thuhet se aktgjykimi hyn në fuqi menjëherë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›