LAJM I FUNDIT/ PD: Ngjarja në Laç, akt terrorist ndaj kandidatit tonë. Rama e Meta duan të përmbysin qeverinë
Partia Demokratike ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Laç, duke thënë se ai ishte një akt terrorist ndaj kandidatit demokrat.
Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi, tha se denoncon thirrjet e Ramës dhe Metës për të përmbysur qeverinë demokratike.
Politikanët e negro- politikes vrapuan të nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Laçit, një akt i pastër terrorist ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Mëhill Fufi.
Politikanet e negro- politikës harruan të shprehin ngushëllime publike për familjen e viktimës dhe të përmendin plagosjen e kandidatit të PD dhe të afërmit të tij nga persona, mbështetës dhe përkrahës të PS dhe aleateve të saj, disa prej të cilëve shkuan nga Tirana për motive të paqarta.
Këta persona, thirrjes së kandidatit tonë largohuni dhe mos ndani lekë këtu, i janë përgjigjur me armë, duke plagosur kandidatin e PD dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi.
Partia Demokratike dënon çdo akt dhune, fton qytetarët të votojnë të qetë, të marrin pjesë të gjithë në këto votime që janë të një rëndësie jetike për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së viktimës dhe i uron shërim të shpejtë kandidatit për deputet Mëhill Fufit dhe të afërmit të tij, Kastriot Fufi.
Partia Demokratike dënon me ashpërsi cinizmin, papërgjegjshmërinë dhe thirrjen për dhunë të çiftit Rama Meta, që të etur për pushtet shpallin se janë të gatshëm me çdo mjet të përmbysin qeverinë demokratike.
Partia Demokratike ju kujton këtyre aventurierëve politikë se vota e lirë e shqiptarëve do të respektohet me çdo çmim dhe se çdo mjet tjetër, përveç votës së lirë, për të marrë pushtetin, ka vetëm një përgjigje ligjore: dështimin e plotë dhe total të aventurës dhe aventurierëve të saj, thuhet në deklaratën e PD./ep