E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAMTUMIRË BUZËQESHJE

Në kujtim të aktorit, Ali Ahmeti (1945 – 2011).

U lëshua perdja. Kështu ne regjisorët, dhe aktorët, shpeshherë flasim kur një shfaqje përfundon.

Perdja e Ali Ahmetit u lëshua dhe nuk do të ngritet më. Shumë vështirë është të shkruhet për një koleg me një distancë kohore, për shkak se këtë më së miri mund ta bëjnë aktorët e gjeneratës së tij - të cilët, ndoshta, me të ndanë më tepër se tridhjetë vjet të një kreativitetit intensiv teatror dhe filmik - e tët të mos lindin emocione pikëllimi kur të largohet dikush i afërt, duke mos arritur t’i thuash as lamtumirë. Vetëm ata që një kohë të gjatë e kapërcejnë në skenë mund t’i kuptojnë lidhjet e jashtëzakonshme të cilat ekzistojnë në mesin e artistëve skenik. Sa shumë imagjinatë, fantazi, gëzim, pikëllim dhe forcë jetësore ekziston në atë skenë të çuditshme, e cila rikrijon realitetin jetësor në kontinuitet.

Kur ndodhin vaki të tilla, harmonia në mesin e njerëzve skenik çrregullohet shumë shpejt. Lind errësira, mosbesimi dhe frika se ajo skenë e madhe paraqet vetëm një iluzion ordiner. Angazhimi i tij ishte i vazhdueshëm në skenë, film e televizion. Aliu shumë shpesh ishte model i seriozitetit dhe i studimit për gjeneratat e reja, për shkak se zëri i tij gjithmonë ishte i ëmbël, diksioni i pastër dhe buzëqeshja e sinqertë - me secilin përreth tij.

Shumëçka mund të flitet për Ali Ahmetin, si një njeri i ndershëm dhe si njeri me talent shumë të madh për humor, jo vetëm në skenë, mirëpo edhe në realitetin tonë të zymtë ditor. Impulsi i tij për buzëqeshje mund të barazohet me pikturë dhe me muzikë.

Emocione këto që nuk mund të shpjegohen vetëm me ndihmën e frazave klishe. Nëse buzëqeshja ndonjëherë krijon emocione të një superioriteti, kjo, po ashtu, nënkupton një katarzë nga tensioni ose një qetësi shpirtërorë para patosit, duke përfshirë në vetvete diçka transcendente. Fotografia kallëzon mendime; muzika kallëzon mendime; dialogu kallëzon mendime; buzëqeshja kallëzon mendime.

Cili ishte misioni i tij në dramën televizive komike të fundit? Ndoshta që të ngris perden para të gjithë protagonistëve të “Kafenesë…” Një fytyrë e ndershme e konceptuar në Elezin- Një Buzëqeshje!

Vërtet, buzëqeshja e Aliut ishte bota e tij. Herën e fundit do ta shihja diku para teatrit. Nuk kishte simptoma se së shpejti do të bëhej paqejf. Ma shtrëngoi dorën dhe, me buzëqeshje tipike në fytyrë, më tha: “Njeriu nuk duhet të kënaqet me atë që ka arritur, por gjithmonë duhet të kërkojë më tepër…”

Buzëqeshja sikur ishte arma e tij kundër dhembjeve dhe shëmtimit. Ndoshta me komedinë e fundit të papërfunduar Ali Ahmeti dëshironte që të na e sugjeronte këtë? Buzëqeshja e tij homerike tash u shndërrua në gjumë mortor. Në sy të mbyllur përgjithmonë. Në heshtje. Në zemërim. Në perde…

E shikova shkurt, dhe vazhdova me ecje të ngadalshme. Në kokë kisha një mendim të brendshëm, i cili ndoshta edhe mund të dëgjohej nga disa kalimtarë rasti: Lamtumirë buzëqeshje!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›