Parajsa e terrorizmit

Rajonet jugore të Filipineve për një kohë të gjatë kanë qenë një tokë e pëllehshme për aktivitet terroriste. Organizatat militante islamike, si Abu Sayaf dhe Jemah Islamia, veprojnë në Gadishullin Sulu apo në pjesët lindore të ishullit Mindanao.
Gjatë viteve të fundit, qeveria e Filipineve ka arritur një përparim të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.
Një pjesë të mjeteve për këto operacione është siguruar nga SHBA-ja, por terroristët po vazhdojnë të shfrytëzojnë territorin e Filipineve për organizimin, grumbullimin e fondeve, për trajnim dhe zbatim të operacioneve. Ekspertët janë të brengosur për shkak të bashkëpunimit në rritje mes Abu Sayyafit dhe disa elementeve të Jemah Islamisë. Duke u mbështetur në raportin e State Departamentit në vitin 2008, qeveria e Filipinëve ka shumë pak kontroll në Gadishullin Sulu dhe ishullin Mindanao, prandaj aty janë vendosur shumë organizata terroriste, përfshirë këtu edhe Abu Sayyafin dhe Jemah Islaminë.
Që nga viti 2004, këto grupe kanë ndërmarrë mbi 100 sulme në Filipine, prej të cilave më i përgjakshmi ishte sulmi me bombë kundër një trajekti, si pasojë e të cilit vdiqën 130 persona. Gjatë këtij viti janë ndërmarrë 21 sulme.
Në kryeqytetin e Filipineve, Manilë, në janar të këtij viti ka shpërthyer një bombë në një autobus, me ç’rast humbën jetën pesë persona dhe u lënduan 14 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori përsipër Abu Sayyafi.
Ekspertët për terrorizëm në Filipine dhe në SHBA theksojnë se edhe Al Qaeda është ative në Filipine. Ky grup ushtron ndikim nëpërmjet organizatave lokale, para se gjithash Abu Sayyafit dhe Jemah Islamisë.
Organizata Jemah Islamia, e cila e ka selinë në Indonezi, ka lidhjet më të fuqishme me Al Qaeden dhe këto dy grupe kanë një kamp të përbashkët për trajnim në Mindanao. Al Qaeda i siguron përkrahje financiare Jemah Islamisë dhe këto dy grupe kanë planifikuar operacione të përbashkëta, përfshirë këtu edhe sulmet e 11 shtatorit 2001.
Edhe Abu Sayyafi ka lidhje me Al Qaeden, por këto lidhje janë më pak të dukshme. Udhëheqësi i parë i Abu Sayyafit ka qenë Abdurajak Janjilani, i cili ka luftuar në Afganistan kundër forcave sovjetike. Muhamed Jamal Kalifa, emigrant nga Arabia Saudite dhe dhëndër i Osama Bin Ladenit, fillimisht ka siguruar përkrahjen financiare për Abu Sayyafin.
Rreth 30 grupe të ndryshme myslimane janë të përfshira në kryengritjen për pavarësimin e provincës jugore në Filipine, Bangsamoro dhe grupi më i fuqishëm konsiderohet Abu Sayyafi. Në përkthim, Abu Sayyaf do të thotë “I Ati i shpatës”. Ky grup herë pas here bashkëpunon edhe me grupet kriminale, të përfshira në rrëmbime dhe kontrabandë.
SHBA-ja e ka cilësuar Abu Sayyafin si grup terrorist dhe që nga viti 2002, ky grup është vënë në shënjestër të luftës kundër terrorizmit, të iniciuar nga SHBA-ja.
Abu Sayyafi ka pësuar humbje të mëdha, për shkak të vrasjes së udhëheqësve të këtij grupi, ndërmjet viteve 2006 dhe 2007. Vlerësimet për madhësinë e kësaj organizate dhe numrit të pjesëtarëve dallojnë. Në vitin 2008, State Departamenti vlerësoi se Abu Sayyaf ka prej 100 deri në 200 pjesëtarë. Por ekspertët ndërkombëtarë për terrorizëm vlerësojnë se numri i pjesëtarëve sillet prej 2 deri në 5 mijë.
Sot pjesa më e madhe e viktimave të Abu Sayyafit janë filipinas, për dallim nga më herët, kur shënjestër kryesore e grupit ishin amerikanët. Prej vitit 2000 deri këtë vit, Abu Sayyaf është financuar kryesisht me ndihmën e pengmarrjeve dhe ekspertët vlerësojnë se gjatë kësaj periudhe grupi me ndihmën e kësaj praktike ka zhvatur rreth 38 milionë dollarë.
Sipas State Departamentit, Abu Sayyaf ka pranuar para edhe nga donatorët radikalë islamikë nga Lindja e Mesme dhe Azia.
Megjithatë, sipas ekspertëve në Filipine, vrasja e Osama Bin Ladenit mund të ndihmojë në destabilizimin e Abu Sayyafit. Këshilltari për siguri kombëtare i qeverisë së Filipineve, Cezar Garcia, ka parashikuar se Abu Sayyafi do të dezintegrohet, për shkak të vrasjes së udhëheqësve, dëmeve në logjistikë dhe njerëz, që i ka pësuar pas vrasjes së Bin Ladenit.