Shqiptarët pa Arbën Xhaferin
BISLIM AHMETAJ
Dje u nda nga jeta Arbën Xhaferi, njëri prej politikanëve, intelektualëve, oratorëve, patriotëve më të spikatur shqiptarë të këtij gjysmëshekulli. Bota intelektuale shqiptare humbi njërin prej zërave më të qartë, më të dëgjueshëm e më të urtë. Politikës shqiptare dhe asaj në rajon do ti mungojë zëri i arsyes, zëri i argumentit, zëri i qëndresës, zëri i atij burri që edhe kur heshte thoshte shumë më tepër se shumica e atyre që janë rreshtuar në politikë me dashje e pa ashje, me vullnetin e tyre apo me shtysën e të tjerëve, qofshin këta shqiptarë apo të huaj, qofshin dashamirë apo dashakeqë të fateve tona politike kombëtare. Zëri i dridhur, por kumbues i Arbën Xhaferit do të mungojë nëpër tryezat e politikës, nëpër kuvendet e burrave, nëpër forumet e intelektualeve, nëpër studiot e televizioneve tona në Shkup, Prishtinë apo Tiranë. Fjala e lëmuar, e shkruar aq mjeshtërisht me atë shqipe, që do ta lakmonte edhe Çabej i madh, do ti mungojë editorialeve të gazetave të përditshme në Tiranë, Shkup e Prishtinë. Patriotët shqiptarë, nga Tivari në Preshevë, nga Mitrovica në Igumenicë, nga Manastiri në Durrës, me ikjen nga jeta të Arbën Xhaferit humbën njërin prej burrave, që me fjalë dhe letër bëri më shumë se cilido shqiptar tjetër për liritë dhe të drejtat e bashkatdhetarëve të tij. Ai e ngriti në piedestal nacionalizmin modern shqiptar, pak burra si ai mundën që përmes fjalës të thyejnë mure shekullore që kishin ngritur me aq dinakëri dhe kujdes sllavo-maqedonasit. Diplomacia kombëtare shqiptare humbi njërin prej diplomatëve par-excellence, bashkëbiseduesin e urtë, të mençur, këmbëngulës, bindës dhe fitimtarë në ato çka ai krenarisht bukur lypte për popullin e vet, për çështjen e lirive dhe të drejtave të bashkëkombësve të tij , për trajtimin si të barabartë të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë. Do na mungosh gjatë, ne të gjithëve që e duam tokën shqiptare. Shko e prehu në Panteonin e Vlerave të Kombit Shqiptar! I lehtë dheu i Atdheut mbi varrin tënd! Lamtumirë Arbën Xhaferi!