LB: Partitë në garë të pa kuptimtë

Driton Avdiu, anëtar i kryesisë së LB-së, ka thënë se skena politike është totalisht e çorientuar karshi paralajmërimeve për bisedime politike Kosovë- Serbi, të cilat priten të zhvillohen. Në këtë drejtim, ai ka thënë se partitë politike janë lëshuar në garë, e cila shpesh merr edhe ngjyrime politike elektorale.
“Skena politike e Kosovës sa i përket raportit të bisedimeve të paralajmëruara politike me Serbinë është totalisht e çorientuar, ku shumica e subjekteve politike shqiptare, qofshin ato në pozitë apo në opozitë, janë lëshuar në garë mes tyre, garë që shpeshherë merr edhe me ngjyrime elektorale për sa i përket çështjes së bisedimeve politike me Serbinë, e jo në drejtim të një përpjekjeje për ndërtim të një pozicioni të përbashkët politik rreth kësaj teme tejet të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për fatin e vendit dhe të kombit”, ka thënë ai.
Avdiu ka thënë se është e qartë se bisedime do të ketë dhe kjo është bërë e qartë nga shumë burime ndërkombëtare e diplomatike kohëve të fundit dhe se, sipas tij, tema qendrore e dialogut do të jetë edhe veriu i vendit.
Ai ka shtuar se vazhdimi i kësaj loje në mes pozitës dhe opozitës, ku njëra palë, në këtë rast pozita, vazhdon të deklarojë se nuk do të ketë kurrfarë lëvizjeje nga oferta jonë që është pakoja e Ahtisaarit, dhe një pjesë e madhe e opozitës, e cila nuk pranon kurrfarë dialogu dhe mendon se nuk duhet të futemi në dialog me Serbinë, do ta rrisë mundësinë që faktori ndërkombëtar dhe Serbia të shtyjnë përpara në bisedime agjendat e tyre e që në fakt do ta dëmtojë në mënyrë afatgjate interesin tonë kombëtar.
Lidhur me këtë ai ka thënë se Kosova në këto bisedime nuk guxon të hyjë me kompleks inferioriteti, por duhet t’i shtrojë qartë dhe guximshëm interesat e veta kombëtare.
Kurse sa i përket normalizimit të pjesës veriore të vendit, Avdiu ka thënë se duhet të fillojë kthimi i shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët janë dëbuar. Sipas tij, gjatë bisedimeve duhet të aplikohet parimi se çfarë standardi t’u jepet serbëve në veri, ai të aplikohen edhe për qytetarët e tri komunave shqiptare, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Të pyetur nga gazetarët se si mund të flitet për shkëmbim territoresh me Serbinë, kur kjo e fundit i kontrollon të dyja, si veriun e Mitrovicës, po ashtu edhe tri komunat shqiptare, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LB-ja, Agim Kuleta, ka thënë se nëse jemi në këtë situatë, ajo çka duhet të bëjmë është që të përpiqemi ta marrim njërën pjesë.
“Nëse jemi në këtë situatë, ajo që ne duhet të bëjmë është që të përpiqemi ta marrim njërën pjesë, po flas me fjalor kështu shumë të thjeshtë. Të përpiqemi për të drejtat e qytetarëve që janë në atë pjesë. Në qoftë se konsiderojmë se i kanë të dyja pjesët dhe ne nuk bëjmë asgjë, ne faktikisht po e pranojmë këtë fakt. Prandaj, është një rast historik që shqiptarët duke u thirrur në të drejtën e njerëzve për të vendosur vetë për vullnetin e tyre, t’ua krijojnë mundësinë atyre qytetarëve të vendosin se ku dëshirojnë të jetojnë”, ka thënë ai.