E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD: Të dielën pati vjedhje të votave

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) e konsideron të pranueshëm procesin zgjedhor në tërësi, porse në ditën e votimit, sidomos në orët e mbrëmjes, sipas kësaj partie, ka pasur vjedhje të votës së qytetarit dhe sjellje banditeske nga ana e zyrtarëve partiakë.

Sekretari i Përgjithshëm i LDD-së, Lulzim Zeneli, në një konferencë për gazetarë, tha se vlerësimi politik është pozitiv, duke pasur parasysh rëndësinë e zgjedhjeve të para në shtetin e pavarur të Kosovës dhe përgjegjësitë dhe obligimet e vendorëve në këtë proces. LDD ka vlerësim se ky proces është realizuar në kuadër të pranueshmes.

Por LDD thekson se faktet flasin se në ditën e votimit, pas orës 15 respektivisht pas orëve të para të mbrëmjes procesi zgjedhor ka degjeneruar, vota e qytetarit të vendit është manipuluar dhe vjedhur.

Sipas Zenelit, ka pasur edhe sjellje banditeske te shumë zyrtarëve partiakë, të shumë komisionarëve dhe se në këto sjellje kanë qenë të përfshira edhe formacionet e institucioneve të vendit. LDD në procesin e votimit të 15. nëntorit ka identifikuar qartë shkeljet dhe manipulimet të cilat kanë ndodhur në këto komuna: Viti, Gjakovë, Prizren, Skenderaj, Mitrovicë, Fushë-Kosovë dhe kështu me radhë, tha Zeneli.

LDD bëri të ditur se ka deponuar në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) të gjitha faktet, të cilat flasin për keqpërdorimin e votës së qytetarëve dhe shkeljet eklatante të ligjit nga ana e përfaqësuesve të disa partive politike.

Zeneli tha se janë partitë në pushtet ato që kanë bërë shkelje, pas dashur ti përmendë me emra.

Pavarësisht vështirësive dhe keqpërdorimit të votave, LDD thotë se ka dalë si forcë kryesore në dy komuna, respektivisht ka hyrë në balotazh në Pejë dhe në Viti. Në këto dy komuna, LDD pret që kandidatët e saj të shënojnë rezultate pozitive në raundin e dytë të votimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›