E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarët të pakënaqur me EULEX-in

Përkrahja e qytetarëve të Kosovës për punën e EULEX-it ka pësuar rënie prej 15 për qind, në pesë muajt e fundit, tregon raporti i paralajmërimit të hershëm që e publikoi sot Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Qytetarët janë shprehur shumë kritikë për punën e gjykatave dhe të EULEX-it, i cili ka pësuar rënie prej 15 për qind, krahasuar me vlerësimin që dhanë qytetarët në qershor, raporton Klan Kosova.

Anketa e bërë me rreth 1300 persona, 830 shqiptarë dhe 230 serbë, tregon se kosovarët nuk janë të kënaqur as me punën e Parlamentit dhe se ka rritje të pesimizmit politik. Për këtë të fundit janë shprehur 33 për qind e të anketuarve.

Shumica e të intervistuarve sipas raportit, kanë theksuar se papunësia dhe varfëria janë brenga më e madhe dhe kjo sipas tyre është kërcënim për stabilitetit në Kosovë.

Ndërkaq, institucionet tek të cilat është i pranishëm korrupsioni në nivel të lartë, nga anketa e bërë kanë dalë të jenë KEK-u dhe AKP-ja, të ndjekura nga sistemi shëndetësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›