E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK-AAK, marrëveshje për koalicion edhe në Gjilan

Pas Prizrenit dhe Sharrit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nënshkruan sot marrëveshje për koalicion edhe në Gjilan.

Sipas këtyre dy partive, pro marrëveshjes, në parim, janë edhe subjektet e tjera si LDD, AKR dhe partitë më të vogla dhe se javën e ardhshme pritet zyrtarizimi i koalicionit edhe me to.

Në ambient të hapur, para Teatrit të Qytetit të Gjilanit, marrëveshjen mes LDK-së e AAK-së, e kanë nënshkruar Fatmir Rexhepi, kandidat i LDK-së për kryetar të komunës së Gjilanit, i cili do të garojë në garën e balotazhit me kandidatin e PDK-së dhe Ahmet Isufi, kryetar i degës së AAK-së.

Rexhepi e ka cilësuar këtë akt si një ngjarje të madhe, duke thënë se me këtë marrëveshje po fillon një fazë e re për Gjilanin. Ai tha se kjo është një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe për ndërtimin e qeverisë në Gjilan.

Sipas Rexhepit, pos me AAK-në, një marrëveshje e LDK-së pritet të bëhet edhe me subjektet të tjera, të cilat sot nuk ishin prezentë, por sipas tij, në parim e kanë përkrahur koalicionin për Gjilanin dhe javën e ardhshme do të ndodhë zyrtarizimi i marrëveshjes.

Sot mendoj se është një ngjarje e madhe për ne sepse me një koalicion, me një front demokratik, së bashku me qytetarët ne do të shkojmë drejt një fitore për Gjilanin, për qeverisjen me Gjilanin, me një konsensus të plotë për të ndërtuar një qeveri me performancë profesionale që zbaton programin për zhvillimin dhe perspektivën e re për Gjilanin, që të bëhet qendër rajonale dhe qytet i demokracisë, ka thënë Rexhepi.

Ai tha se në parim ka pajtueshmëri për koalicion edhe me LDD, po ashtu ka mbetur hapur çështja edhe me AKR-në, si dhe me partitë të tjera që janë më të vogla, andaj kjo çështje pritet të përmbyllet javën e ardhshme.

Ndërsa, Ahmet Isufi, kryetari i degës së AAK-së në Gjilan, tha se e kanë nënshkruar këtë marrëveshje në bazë të parimeve të demokracisë për një mbështetje të fuqishme që do të japin si AAK, për Fatmir Rexhepin në garën e balotazhit.

Ai ka ftuar edhe qytetarët ta ofrojnë votën e tyre për Fatmir Rexhepin, sepse siç u shpreh ai kështu e thellojmë edhe demokracinë, kështu i japim kuptim jetës politike në komunën e Gjilanit.

Ne do të mbesim pranë nënshkrimeve që i bëmë sot dhe konsiderojmë se është një atmosferë e mirë në qytetin e Gjilanit që demokracia të triumfojë, njerëzit të jenë ata që janë krijuesit e jetës së re, në bazë të një programi të përbashkët që do ta kemi në qeverisjen e ardhshme, ka thënë Isufi.

Duke i uruar suksese Fatmir Rexhepit, kandidatit të LDK-së për kryetar komune, Isufi tha se Rexhepi do ta ketë mbështetjen e plotë të AAK-së, duke konsideruar se me këtë akt po bëhet një punë e mirë për shkak se Gjilani do të ketë një kryetar të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve.

Koalicioni mes LDK-së dhe AAK-së në Prizren ka qenë shkas i acarimeve mes PDK-së dhe LDK-së në nivel qendror. PDK pat njoftuar LDK-në se do të krijojë koalicion të ri me LDD-në dhe AKR-në, por një ditë më vonë tërhoqi deklaratën, duke vazhduar koalicionin. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›