E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Kërkesa e PDK'së për debat rreth ASHAK'ut, absurde

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, për siç ka thënë, për një diktat që po mundohet t’i ushtrojë Akademisë Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), në procesin e përzgjedhjes së akademikëve.

Ata kërkesën e deputetit të PDK-së, Ramë Vataj, për mbajtjen e një debati parlamentar lidhur me ASHAK-në, e kanë vlerësuar si absurde.

Kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri kërkesën e PDK-së e ka vlerësuar një ndërhyrje të drejtpërdrejt në këtë institucion shkencor.

“Sot është përsëri një kërkesë që ka të bëjë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kërkesë absurde. Një kërkesë tërësisht politike, një tentim mund të them diktati ndaj ASHAK-ut, një ndërhyrje shumë e padrejtë dhe sigurisht e qëllimshme në pavarësinë e këtij institucioni më të lartë shkencor të vendit tonë, pas përpjekjeve të projektligjit. Tash është një kërkesë e GP të PDK-së dhe tre deputetëve të subjekteve tjera që të futet një debat parlamentar për ASHAK më konkretisht rreth procesit të zgjedhjes që po mbahen në këtë akademi”, ka theksuar Beqiri.

Në këtë debat janë përcaktuar edhe rekomandimet për tu votuar, por, sipas Beqirit këto rekomandime janë në kundërshtim me ASHAK-un.

“A e din çka thuhet në rekomandim? Kuvendi të autorizoj ASHAK-un për formimin e një komisioni të ekspertëve ndërkombëtar nga të gjitha fushat e shkencës i cili do të vlerësonte CV e kandidatëve dhe të jep një vlerësim mbi të cilën janë eliminuar disa kandidat dhe disa janë votuar në procesin zgjedhor të ASHAK-ut. Shikoni çfarë absurditeti me bërë komision ndërkombëtar që këtë drejtë nuk e kanë jo vetëm ndërkombëtar dhe as vendorët me i sugjerua ASHAK-së për këtë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›