Mehmeti, i kënaqur për golin

Agon Mehmeti ndihet i kënaqur për golin që e shënoi të shtunën, në barazimin e Novarës me rezultat 1:1 ndaj Vareses. Sulmuesi kosovar e kaloi Novarën në epërsi në minutën e 23-të, ndërsa shifrat i barazoi Troest në atë të 62-të.
Vendësit luajtën me një lojtar më pak nga minuta e 28-të, kur Pesce u ndëshkua me karton të kuq. Kjo edhe ia vështirësoi punët ekipit të Attilio Tesser që t’i regjistrojë tri pikët e radhës. “Dëshironim të fitonim, por kjo u bë e vështirë kur luajtëm më shumë se një orë pa një lojtar. Kemi vrapuar shumë, të gjithë shpenzuam gjithçka që kishim”, deklaroi ish futbollisti i Malmos.
“Jam i kënaqur për golin, por i zhgënjyer që nuk mundëm të fitonim”, ka vazhduar Mehmeti, i cili është huazuar gjatë kësaj vere nga Palermo në Novara. Sipas medieve italiane, paraqitjet e tij të mira në Serie B e kanë bindur ekipin sicilian që ta rikthejë atë në Palermo, gjatë janarit.