Thaçi të enjten informon deputetët për takimin me Daçiq'in

Kryesia të hënën ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më datën 1 nëntor.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i pyetur se a do të kërkoj nga kryeministri Thaçi llogaridhënie po që se hynë në bisedime për çështjen e veriut, ai ka shprehur bindjen e tij se bisedimet do të shkojnë në kahje të duhur.
“Llogaridhënia, sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, është permanente dhe çdo njërit nga ne që paguhemi nga taksapaguesit e Kosovës dhe jemi të zgjedhurit nga qytetarët e Kosovës. Unë e di që dëshira e madhe e disave është që të thuhet që kryeministri po e shkel kushtetutën, por unë jam i bindur që bisedimet do të marrin kahjen e duhur sepse ato janë të monitoruara dhe janë të organizuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë aspekt as që më shkon mendja që kryeministri i Kosovës do të veproj në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar ai.
Haliti, i cili ka udhëhequr mbledhjen e kryesisë në mungesë të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk e dinë çka është biseduar mes dy kryeministrave.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e dinë se çka është biseduar mes dy kryeministrave, por ka shtuar se LDK është kundër bisedimeve që prekin integritetin dhe sovranitetin e vendit.
“Jo nuk mund të dimë ne LDK-ja si grup i veçantë. Sigurisht zotëri Thaçi ka informuar dhe ajo që e ka thënë vazhdimisht LDK-ja dhe sot po e përsëris është që të bisedohet në kuadër të atyre limiteve ose pengesave apo kushteve që i parasheh rezoluta. Çdoherë, Lidhja Demokratike e ka thënë shumë qartë edhe sot e mbron qëndrimin. Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër bisedimeve por jemi për ato që parashihen apo thuhen në një mënyrë ose tjetër pothuajse që i ka thënë LDK-ja që mos të bisedohet për sovranitetin, integritetin, rregullimin e brendshëm të vendit”, ka deklaruar Beqiri.
Nëse diskutohet për çështjen e veriut të vendit, Beqiri ka thënë se LDK do të kërkoj që ky kryeministër të shkoj në shtëpi.
“Çështja e bisedimit... Unë nuk spekuloj se nuk e di se çka duhet të bisedohet, por ne po flasim nëse tenton diçka me marr antikushtetuese nuk ki çka me thënë tjetër duhet me qu në shtëpi. Absolutisht nëse vendoset diçka kundër kushtetutës atëherë nuk ka dhe ne nuk pranojmë diçka të tillë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, jashtë Kushtetutës së Kosovës, nuk ka çka të bisedohet.
Po ashtu, ai ka thënë se vijat e përgjithshme nëse mund të thuhet janë të përcaktura në rezolutë, duke shtuar se Qeveria duhet të ketë edhe agjendën dhe platformën për këto bisedime.
“Unë besoj përpos takimit të parë që është mbajt në takimet e radhës duhet të ketë agjendë të qartë dhe platformë të qartë”, ka thënë Beqiri.
Mbledhja e kryesisë ka vendosur për rendin e ditës për seancën e 1 nëntorit, ku do të jenë disa projektligje në shqyrtim. /kosovapress/