LDK: Kosova ka ngecur në shumë fusha
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë një vlerësim të përgjithshëm sa i përket zhvillimeve në 2011-në, duke theksuar se Kosova në shumë fusha ka ngecur ose ka shënuar edhe regres.
Sipas LDK-së, me këtë qeverisje, Kosova po identifikohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare si vend ku cënohet ligji dhe askush nuk ndëshkohet, ku abuzohet me votën e qytetarit, një vend me ekonomi të sfilitur, papunësi ekstreme dhe varfëri të thellë, me shumë konflikte të interesit në procesin e stërzgjatur të privatizimit etj.
Gjithashtu sipas kësaj partie, me këtë qeverisje, vendi po identifikohet me politika ekonomike dhe fiskale që reflektojnë nevojën e përmbushjes së premtimeve të pabaza elektorale e jo zhvillimin ekonomik,me arsim skajshmërish të politizuar dhe me cilësi të paktë e në rënie, me pacientë që ikin jashtë vendit për tu shëruar në ndërkohë që harxhohen qindra mijëra euro për asgjësimin e barnave të skaduara, me politikë të jashtme kaotike duke u përzier kompetencat në mes të gjashtë zyrtarëve për politikë të jashtme, me hapje të negociatave të dështuara qysh në fillim dhe me shkatërrim të strukturës dhe të stafit diplomatik ende pa u formuar si duhet.