Kosovë, lëvizja VV thirrje për bllokim kufiri më 14 janar

Lëvizja Vetëvendosje ka rishpehur zotimin për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, më 14 janar.
"Ky bllokim është në mbrojtje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra është në mbrojtje të Kuvendit. Moszbatimi i vendimit të Kuvendit nga Qeveria e shkatërron për së brendshmi Republikën, për shkak se e sipërvendos Qeverinë mbi Kuvendin, ekzekutivin mbi legjislativin. E sipërvendos përfaqësimin partiak e interesin partikular të reflektuar në këtë Qeveri mbi vullnetin popullor. E në Republikë, pushteti nuk sundon mbi popullin, por populli sundon e qeveria qeveris dhe ekzekuton. Republika është interesi i përgjithshëm" deklaruan zyrtarët e Vetëvendosjes në një konferencë për median.
Glauk Konjufca tha se "ky bllokim ndalon Serbinë ta kalojë kufirin me Kosovën. Aksioni ynë e shndërron kufirin nga një pikë kalimi, siç po e trajton Serbia si vijë administrative, në një kufi shtetëror, dhe ia pamundëson Serbisë hyrjen në territorin tonë"
Lëvizja VETËVENDOSJE i bën thirrje të gjithë qytetarëve që më datën 14 janar, në ora 13:00 të dalin në mbrojtje të Republikës dhe për mbrojtje të prodhimeve të vendit, duke bllokuar Serbinë në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe Merdare. Në datën 14, SERBIA NUK KALON!