LDK: Qeveria ka thelluar mizorinë e jetës tek qyetarët

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj me gjendjen e jetesës së qytetarëve të Kosovës. Ajo e ka quajtur ‘Indeksi i mjerimit social’, indeksin e papunësisë në Kosovë i cili e rendit Kosovën në vendin e nëntë në mesin e 25 vendeve më të varfura në Botë.
“Kjo gjendje e mjerë u vërtetua me ‘indeksin e mizorisë’, i cili e rendit Kosovën në vendin e nëntë në botë pas vendeve si Zimbabve, Liberia, Belorusisë, Turkmenistanit etj. Indeksi i mizorisë është një matës i përgjithësuar i gjendjes ekonomike dhe sociale bazuar në papunës dhe inflacion. Nisur nga fakti që papunësia në Kosovë është mbi 45% dhe inflacioni rreth 8%, indeksi i mizorisë me të drejtë e rëndit Kosovën në mesin e vendeve më të pashpresë dhe më të mjetë për të jetuar”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas LDK-së, kjo gjendje reflekton qeverisjen e mjerë të PDK-së dhe koalicionit qeverisës dhe nivelin e lartë të korrupsionit që po e ngulfat ekonominë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria Thaçi gjatë mandatit të saj vetëm sa e ka thelluar mizorinë e jetës tek qytetarët, pasi papunësia dhe inflacioni vetëm sa janë rritur.
“Ata persona që kanë pasur fatin të punësohen dhe të krijojnë të ardhura, kanë arritur ta bëjnë këtë në baza të nepotizmit dhe afërsisë me klanin qeverisës.
Bizneset e vogla që krijojnë punësim dhe të ardhura për shumë familje janë ngulfatur me rritjen e ngarkesës tatimore për 80% nga kjo qeveri”, thuhet më tej në komunikatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendit sa më pari i duhet një qeveri me profesionistë dhe me duar të pastra për të kthyer shpresën se në Kosovë mund të jetohet më mirë.
“Lidhja Demokratike zotohet se brenda vitit të parë të qeverisjes së saj jeta e qytetarëve do të bëjë kthesën positive”, thuhet në fund të komunikatës./Indeksonline/