Isa Mustafa akuzon RTK-në

Komuna e Prishtinës sqaron opinionin se Radio Televizioni i Kosovës në edicionin qendror të lajmeve të datës 21.02.2013, ka prezantuar fakte të pavërteta, jo të plota, me qëllime denigruese për Komunën e Prishtinës, për kryetarin e Komunës dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kjo është e papranueshme për një Televizion Publik, sepse nuk janë marrë të gjitha informatat nga të gjitha palët, nuk janë prezantuar faktet e plota dhe janë shtrembëruar faktet, thuhet në një reagim të Komunës së Prishtinës.
Në komunikatën që po e sjellim në tërësi thuhet: “Është e papranueshme që një Televizion Publik, i cili i përdor mjetet e taksapaguesve të Kosovës prej 8.2 milionë euro në baza vjetore, të përdoren ato mjete për të dezinformuar dhe për tentuar që njollosin figura të caktuar politike dhe rival politik të partisë në pushtet.
Është për keqardhje që RTK prej ditës në ditë po shndërrohet në televizion të partisë në pushtet dhe të qarqeve tjera politike. Për ne kjo është e papranueshme. Ne nuk do e lejmë me këtë reagim. Ne do të përdorim të gjithë potencialin politik që e kemi, për të bërë të qartë dhe për tu siguruar që Televizioni publik i Kosovës është në shërbim të qytetarëve e jo të një partie politike. RTK para vetes i ka pasur të gjitha dokumentet që nuk ka dashur me i pa dhe nuk ka dashur me i prezantuar në kroniken e mbrëmshme. Kushdo që merr vesh pak dhe kupton për etiken profesionale të gazetarisë, dje ka mundur të shoh që ajo kronik ka qenë plotësisht e montuar dhe me qëllime të caktuara.
Komuna informon opinionin se Kuvendi Komunale në mbledhjen e parë të kuvendit të mbajtur me 31.01.2012 me shumicën absolute të votave ka miratuar Vendimin për Vazhdimin e Afatit të Dhënies në Shfrytëzim të Pronës Komunale, në kuadër të së cilës hyn edhe dhënia e stadiumit në shfrytëzim për FC Prishtina (pika e 10 e vendimit). Një vendim i tillë është marrë në Kuvendin Komunal, pas kërkesës të Klubit Futbollistik Prishtina dhe me kërkesë të donatorëve për të bërë investime në këtë objekt sportiv. Kryetari i Komunës nuk ka kompetence që të jap pronë komunale në shfrytëzim, kjo është kompetencë e kuvendit komunal. Ky vendimi e ka autorizuar ekzekutivin komunale që të përgatisë kontratën për dhënien në shfrytëzim dhe kryetarin e komunës që ta nënshkruaj në emër të komunës, gjë që është realizuar nga ekzekutivi i komunës.
Ekstrakti i Kuvendit të Komunës vërteton se ky vendim është vendim i Kuvendit të Komunës dhe jo i Kryetarit të Komunës dhe është mbështetur nga 40 këshilltarë të asamblesë dhe nuk është mbështetur vetëm me votat e LDK-së por edhe të partive të tjera. Këto vendime janë vendime publike dhe gjithsecili gazetar apo qytetar mund të këtë qasje dhe mund t’i këtë në dispozicion kurdo që kërkohet. Këto dokumente nuk janë prezantuar në kronikën e RTK-së.
Një fakt tjetër që ka qenë mjaft denigrues, është fakti që në kronikn e RTK është thënë se Kryetari i Komunës së Prishtinës, dr. Isa Mustafa ka aksione në Klubin Futbollistik Prishtina. Komuna ka kontaktuar me Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe ka studiuar certifikatën për regjistrimin e bizneseve për Klubin Futbollistik Prishtina. Aty është e qartë se kryetari Mustafa, apo familjaret e tij nuk ka asnjë interes, nuk ka asnjë përqindje të aksioneve në Klubin Futbollistik Prishtina. Kjo është edhe një dezinformatë e hapur që mbrëmë e ka bërë RTK.
Komuna i bënë thirrje RTK-së që të korrigjojë deklaratën e mbrëmshme dhe të merr masa që në të ardhmen këto mos të ndodhin më”./Indeksonline/