Vazhdon procesi i rishikimit të teksteve të historisë

Grupi i ekspertëve nga Turqia do të vijnë në Kosovë në fund të muajit shkurt, për të parë se deri ku kanë shkuar punët për rishikimin e teksteve shkollore të Historisë, aty ku flitet për Perandorinë Osmane. Këtë e konfirmoi për Radio Kosovën, zëvendës ministri i arsimit Nehat Mustafa, i cili theksoi se ardhja e ekspertëve turq nuk do të thotë se ata do të vendosin si të jenë tekstet tona, por kjo bëhet për të treguar gatishmërinë për bashkëpunim jo vetëm me Turqinë por edhe me shtetet e tjera.
Ekspertët turq, të cilët do të vijnë në Kosovë do të bisedojnë me anëtarët e Komisionit për rishikimin e teksteve të historisë. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën se komisioni i formuar nga Ministria e arsimit e ka kryer punën e tij, i cili ka përgatitur një raport dhe ndërkohë pritet që në fund të muajit të vijnë një grup i ekspertëve nga Republika e Turqisë, i cili do të takohet me grupin e ekspertëve të Kosovës.
“Kjo po bëhet më qëllim që tekstet tona të kenë sa më pak gjuhë të urrejtjes. Kjo nuk do të thotë që është duke ndodhur vetëm me Turqinë, por kjo do të ndodhë edhe me të gjithë popujt dhe shtetet e tjera, sepse përfundimisht gjuha e urrejtjes duhet të hiqet nga tekstet shkollore”, tha Mustafa.
Ekspertët turq do të qëndrojnë disa ditë në Kosovë dhe pas bisedimeve me ekspertët tanë do të organizohen debate për këtë çështje, për të parë atë që mendohet se ia vlen të shikohet apo korrigjohet. Zëvendësministri Mustafa, sqaroi se pas këtyre debateve do të ketë takime edhe me autorët e teksteve shkollore, në mënyrë që ata ta kuptojnë se nuk bëhet asgjë kundër autorëve të teksteve. Ai tha se nuk do të bëhet asnjë ndryshim pa u konsultuar me autorët e teksteve shkollore.
“Natyrisht se nuk do të ketë asnjë ndryshim të historisë, sepse nuk është Ministria e Arsimit ajo që e ndryshon historinë, nuk është ministria ajo që e shkruan historinë, por janë historianët ata që e shkruajnë historinë. Prandaj edhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të kenë frikë se do të ndryshohet historia e popullit shqiptar në përgjithësi dhe e popullit shqiptar të Kosovës në veçanti”, theksoi Mustafa.
Mustafa theksoi se grupi i ekspertëve turq do të shikojnë disa nga sugjerimet që kanë dhënë ekspertët e Kosovës dhe do të japin kontributin e tyre, në mënyrë që tekstet tona të jenë të përshtatshme duke përmbushur kriteret. Mustafa shprehu besimin e tij se nga viti i ardhshëm shkollor do të mësohet me tekste të rishikuara të historisë. Po, ashtu ai tha se pas fillimit të zbatimit të Kurrikulës së re, të gjitha tekstet do t’i nënshtrohen një konkursi të ri./Indeksonline/