Përleshje në qendër të Mitrovicës, plagoset një polic

Një polic në rroba civile është sulmuar nga dy persona, të cilët në një dyqan rriheshin me pronarin e tij. Si njofton korrespodenti i Kohës Ditore, kjo ngjarje ka ndodhur pak para orës 15:00 të së premtes. Me këtë rast janë përdoruar armë të ftohta dhe armë zjarri, kanë njoftuar burime të gazetës. Rastin e plagosjes së policit dhe tre personave të tjerë e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. Zëdhënësi për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka theksuar se sipas hetimeve të para, incidenti ka ndodhur tek dyqanet në afërsi të ish-muzeut, ku polici në rroba civile ka vërejtur se në një dyqan kompjuterësh tre person kishin filluar një rrahje. Polici ka hyrë brenda dyqanit, ku menjëherë është sulmuar nga dy persona. Në këtë incident janë përdorur edhe armë të ftohta dhe është dëgjuar së paku edhe një shkrepje nga arma e zjarrit.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar një thikë dhe një shufër metalike. Njësitet e policisë menjëherëë kanë intervenuar, duke dërguar të katër personat në emergjencës të QKMF-së në Mitrovicë. Policia me këtë rast ka ndaluar dy të dyshuarit si dhe pronarin e dyqanit.
Sipas Zahitit, për momentin nuk dihet se kush ka shtënë me armë zjarri. Në anën tjetër, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani lidhur me këtë rast ka theksuar se të katër personat kanë mbërritur në emergjencë me plagë në ekstremitete dhe ndrydhje nga goditjet e marra. Për fat të mirë, asnjëri nga ta nuk ka ndonjë plagë të shkaktuar nga arma e ftohtë apo armë e zjarrit./Indeksonline/