LDK: Qeveria neglizhon ndërprerjen e ujitjes në Anadrini

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj me neglizhencën e Qeverisë Thaçi dhe të ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci për gjendjen e krijuar në fshatrat e Anadrinisë. “Për ditë të tëra, në pikun e vapës, ndërmarrja Radoniqi në Gjakovë ka ndërprerë ujin për disa fshatra të Anadrinisë, gjendje që pritet të përsëritet prapë. Kërcënime të njëjta kanë marrë edhe bujqit e fshatrave të tjera në vijim të lumit Drini i Bardhë. Si rezultat i kësaj janë dëmtuar mijëra hektarë me perime”, thuhet në deklaratën për medie të LDK-së. Sipas kësaj partie politike opozitare, mbi 80% të qytetarëve të kësaj ane krijojnë të ardhurat nga bujqësia, prandaj ndërprerja e ujit në këtë kohë është e pa tolerueshme. “Borxhet që kanë qytetarët e kësaj ane ndaj ndërmarrjes Radoniqi janë simbolike në krahasim me borxhet që ndërmarrje të mëdha private i obligohen qeverisë. Por, qeveria tenton t’i bie në qafë të dobëtit. Ministri i Bujqësisë nuk shfaqet fare në opinion për të mbikëqyrë situatën dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme”, thuhet më tutje në këtë deklaratë.
LDK vlerëson se edhe qëndrimi i kryetarit të Komunës së Rahovecit, i cili tenton të kushtëzojë shërbimet komunale për qytetarë me pagesën e ujit të bujqësisë është joligjor dhe i dëmshëm për bujqit.
LDK vlerëson se bujqve të kësaj ane duhet dhënë mundësinë që të kultivojnë dhe të shesin produktet e tyre dhe pastaj t’ju kërkohet arkëtimi i borxheve për ujitje të tokave. LDK e vlerëson të papranueshme rritjen e çmimit për ujitje të tokave bujqësore nga rreth 100 në 120 euro për një hektar. LDK kërkon që të ndërmerren masa menjëherë ndaj menaxhmentit të papërgjegjshëm të NP Radoniqi dhe të gjenden mënyrat për kompensim të bujqve./Indeksonline/