E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qeverisja Thaçit në kaos

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se kaosi organizativ i Qeverisë Thaçi po u kushton shtrenjtë qytetarëve të vendit si dhe po dëmton procesin e integrimeve evropiane. Sipas këtij subjekti opozitar, Qeveria Thaçi po tregohet tejet joefikase për shkak të organizimit të keq dhe jofunksional të dikastereve qeveritare.

Gjithnjë sipas LDK-së, kjo qeverisje e dobët dhe pa plan po u kushton taksapaguesve të Kosovës me shpenzime të larta për mallra dhe shërbime të cilat vetëm këtë vit janë rritur enorm me 60% krahasuar me vitin e kaluar.

LDK vlerëson se me këto veprime Qeveria Thaçi po e dëmton vendin në perspektivën e tij drejt integrimeve evropiane.

“Rasti më i freskët për këtë kaos organizativ është vendimi i Qeverisë numër 08/84 i datës 19.07.2012, për të themeluar Departamentin për Ri-integrimin e Personave të Ri-atdhesuar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me këtë vendim është anuluar vendimi i marrë vetëm një muaj më herët, datë 20.06.2012 numër 10/79, me të cilin i njëjti departament u themelua në kuadër të Ministrisë së Integrimeve Evropiane”, thuhet në një deklaratë të LDK-së .

Sipas saj, ky kaos institucionesh dhe vendimesh dëshmon paaftësinë e qeverisjes aktuale për zbatimin e obligimeve karshi procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane.

LDK konsideron se që nga konsolidimi i kësaj qeverie janë shfaqur vazhdimisht apetite për shumë ministri, agjencione dhe dikastere të panevojshëm dhe të papërballueshëm për kapacitetet e vogla buxhetore të Kosovës.

“Numri tejet i madh i dikastereve po rezulton me përzierje të kompetencave dhe obligimeve në mes tyre, duke lënë detyra kyçe të pazbatuara si dhe plane e strategji të rëndësishme pa një adresë për llogaridhënie. Kjo përzierje kompetencash shihet edhe në vrapimin e disa ministrave dhe zyrtarëve për të marrë lëvdatat për ndonjë rezultat që është arritur”, përfundon reagimi i kësaj partie. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›