E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Rritja e çmimit të rrymës, për të mbuluar deficitin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pritur me shqetësim vendimin për shtrenjtimin e rrymës. Shpenzimi i energjisë elektrike nga ana e amvisërisë në Kosovë përbën mbi 54 të tërë shpenzimit, prandaj shtrenjtimi i energjisë në radhë të parë do të godet familjet, një pjesë e konsiderueshme e të cilave edhe ashtu jetojnë në varfëri, kështu shprehet LDK përmes një komunikate për media.

Përveç përmes faturave më të shtrenjta të rrymës, sipas LDK-së, familjet kosovare do të pësojnë edhe nga shtrenjtimi i të gjithë artikujve tjerë jetësor të cilët do të përcjellin këtë rritje të çmimit të rrymës. “Në njoftim për shtrenjtim thuhet se KEK-u ka kërkuar shtrenjtim prej 23 për qind, ndërsa ZRRE ka miratuar 8.9 për qind. Duhet të përkujtojmë KEK-un se nga raportet zyrtare shihet se humbjet në sistemin energjetik, për të cilin është përgjegjës pikërisht KEK, shkojnë në 38 për qind, ndërsa vetëm në distribucion janë 17 për qind”, thuhet tutje në komunkate.

Sa për informim, sipas LDK-së, humbjet në shtetet ku sistemi energjetik menaxhohet mirë dhe funksionon si duhet janë vetëm 3-4 për qind. “Rritja e çmimit të rrymës reflekton paaftësinë e Qeverisë Thaçi për të revitalizuar këtë sektor strategjik në Kosovë. Në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e bënë të qartë se do të kërkoi rritjen e çmimit të energjisë për të mbuluar problemet me deficitin buxhetor, kështu që kjo konsiderohet se është rritje politike e çmimit të energjisë”, shprehet LDK.

LDK-ja kërkon nga ZRRE që para se të aprovon çfarëdo rritje të udhëzojë KEK të shfrytëzon të gjitha masat për përmirësimin e funksionimit të sistemit energjetik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›