E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i Hajredinit

Hajredin Kuçi dha dorëheqje nga posti i Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, pasi Kuvendi miratoi nenet që cenojnë lirinë e medias. Votimi shkaktoi mospajtime edhe brenda PDK’së. Kryeministri Thaçi tha se është i turpëruar me këtë akt të deputetëve. Dorëheqjen e zëvendësit të tij, shefi i Qeverisë e cilësoi normë të re në politikën kosovare.

Hajredin Kuqi dha dorëheqje përfundimisht. Ai nga e premtja më nuk do të jetë ministër i Drejtësisë e as zëvendëskryeministër i Kosovës. E për t`ia ndërruar mendjen nuk arriti as fakti pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta kthejë mbrapsht në Kuvend Kodin Penal pa nenet 37, 38 dhe 39. Me aktin e dorëheqjes, Kuqi mbajti premtimin e tij. Vetëm një orë pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan Kodin Penal të Kosovës bashkë me nenet që u kontestuan nga mediat, Hajredin Kuqi mori një vendim.

Në një konferencë për media, ai bëri të ditur se që nga e premtja nuk do të jetë më as ministër i Drejtësisë e as zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës. Këtë vendim, Kuqi e mori pasi që neni 37 dhe 38 të Kodit të ri Penal kanë kaluar në Kuvend, ndërsa ai pati premtuar se nëse ato dy nene hyjnë në fuqi, hyn në fuqi edhe dorëheqja e tij. “Që nga ky moment i kam ofruar dorëheqje kryeministrit nga pozita e të qenit anëtar i Qeverisë së Kosovës”, është shprehur Kuqi. Këtë ai tha se po e bën për disa arsye, por pa qenë i shtyrë nga askush. As kur e dha premtimin për dorëheqje e as tash kur edhe e bëri këtë akt. Thotë se vendimin e mori vetëm për shkak të disa parimeve.

“Parimi i parë, unë mendoj se politika dhe morali duhet të shkojnë bashkë, jo të shkojnë ndaras. Unë besoj që fjala e dhënë, morali i përcaktuar nga vetë unë kohë më herët duhet të mbahet”, është shprehur Kuqi, sipas të cilit parimi i dytë ka të bëjë me lirinë e shtypit të medieve, pasi thotë se kurrë nuk ka dëshirë të identifikohet me njeriun që e kufizon këtë liri, edhe kur ajo keqpërdoret. “Dhe, e treta unë jam munduar që pozitat t’i mbaj me krenari dhe dinjitet dhe t’ ju shikoj juve gjithmonë në sy, e nëse nuk e mbaj premtimin, nuk do të mund t’ju shikoj prej sot në sy”, ka thënë ai.

Vendimin për dorëheqje Kuqi thotë se e ka marrë, pavarësisht se nuk është pritur mirë nga kryeministri Hashim Thaçi. “Por, besoj se kryeministri do të ketë mirëkuptim që në kabinetin e tij duhet të ketë ministra me autoritet politik, legal dhe moral. Besoj edhe ai e di që qëndrimi im është njerëzor dhe moral dhe e kupton”, ka sqaruar Hajredin Kuqi.

Edhe pas dorëheqjes nga dy postet për një ditë, Kuqi sqaron se nuk do të rrijë kot. Ai ka thënë se do jetë aktiv si profesor universitar si dhe aktivist në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ku është nënkryetar. “Dua ta falënderoj kryeministrin për punën që kemi bërë bashkë dhe unë do të punoj edhe tutje me të në kuptimin partiak”, ka thënë ai.

E kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, pos që e ka vlerësuar lart vendimin e Kuqit,

nuk ka deklaruar asgjë zyrtarisht nëse e pranon dorëheqjen e tij apo jo. “Kuçi u ka dhënë një leksion të gjithëve dhe ka vendosur një normë të re në skenën politike kosovare, institucionale, atë të përgjegjësisë shtetërore dhe morale”, është shprehur Thaçi. Por, ai ka thënë se është ndier i turpëruar për miratimin e Kodit të ri Penal të Kosovës me nenet 37, 38 dhe 39, duke shtuar se asnjëherë nuk do të pajtohet me nene të tilla, të cilat krijojnë frikë te mediat. “Mund të them lirisht se ndihem shumë i turpëruar nga votimi, i cili u votua edhe nga disa deputetë të partisë që udhëheq unë”, është shprehur kryeministri Thaci.

Prandaj në shenjë pakënaqësie, ai ka proceduar një Kod të ri Penal të Kosovës pa nenet për të cilat Kuqi dha dorëheqje. “Për këtë arsye, unë do të riprocedoj në Kuvend Projekt kodin e ri Penal pa nenet 37, 38 dhe 39 dhe dëshiroj të theksoj se ky votim sot në Kuvend është një mesazh i keq për Kosovën”, ka thënë ai. Për këtë veprim, ai mori edhe mbështetjen e të gjithë ministrave të kabinetit të tij.

E zhgënjyer me deputetët është edhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për televizionin publik të Kosovës, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se Presidenca shpreh zhgënjimin që deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe komuniteti i gazetarëve nuk kanë arritur të akomodojnë kërkesat e njërës dhe të palës tjetër. “Kemi shënuar një hap prapa në këtë çështje”, është shprehur Vllahiu. Ai ka sqaruar se aktualisht po shqyrtohen mundësitë ligjore e kushtetuese për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar.

Me votat e deputetëve është i zhgënjyer edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ai citohet të ketë thënë nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga zyra e tij se nenet në fjalë janë në kundërthënie me konventat e BE-së që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit. “Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, ka thënë Zhbogar, duke rikujtuar se BE mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës. Ai ka shprehur keqardhjen gjithashtu se ky vendim pason vizitën që një delegacion i Komisionit Evropian ka realizuar në Kosovë për të vlerësuar arritjet e Kosovës dhe aftësitë e saj për t’u angazhuar në bisedimet e Mekanizmit të Stabilizim – Asociimit. “Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë provizionet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”, citohet të ketë thënë Zhbogar.

E Lidhja Demokratike e Kosovës mendon që Kuqin e ka shkarkuar vetë partia e tij.

“PDK-ka ka shkarkuar zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe kjo ka ardhur si rezultat i një vendimi të organizuar”, ka deklaruar deputetja e LDK-ës, Teuta Sahatqija. Megjithatë, ajo ka deklaruar se dorëheqja e zëvendëskryeministrit paraqet një lajm të rëndësishëm në çdo shtet. “Në vendim të parë Kuqi ka paraqitur një dorëheqje si një akt moral i cili është shumë pak i njohur tek ne, por duhet të analizohet pse ka ardhur deri aty”, pohon Sahatqija e cila ka theksuar se votimi i së premtes ishte rezultat i një vendimi të organizuar, andaj sipas saj, pozita në këtë rast PDK-ja ka shkarkuar zv/kryeministrin Hajredin Kuqin. Dorëheqja e Kuqit dhe reagimet e shumta drejtuar Kuvendit të Kosovës vijnë pasi të premten Kuvendi nuk ka miratuar heqjen e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 maj, ka marrë vendim që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.

Andaj, një qëndrim i tillë i presidentes ishte kuptuar si kërkesë për heqjen e këtyre neneve nga Kodi Penal. Po ashtu, edhe Komisioni Funksional kishte propozuar heqjen e këtyre neneve. Mirëpo, procedura e votimit ka sjellë si rezultat 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime. Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, u shpreh se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi që kërkohen 61 vota për.

Deputetët që votuan kundër dhe ata që abstenuan në votim

Siç dihet nga vendimi i sotëm 59 deputetë votuan për heqjen e neneve, 4 ishin kundër dhe 5 abstenuan. Deputetët që votuan kundër janë: Berat Buzhala, Adem Grabovci, Latif Gashi dhe Elmi Reçica. Ndërsa ata që abstenuan janë Hydajet Hyseni, Nait Hasani, Fadil Demaku, Lutfi Haziri dhe Anton Çuni.

Para se të votohen nenet e kontestuara të Kodit Penal, Hajredin Kuçi e deputeti i PDK’së, Berat Buzhala kanë dhënë deklarata të kundërta në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Derisa Buzhala që ka folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK’së ka kërkuar të mos hiqen nenet 37 dhe 38, por të riformulohen. E, Kuçi iu ka bërë thirrje deputetëve të votojnë heqjen e neneve të debatueshme.

Thirrja e Buzhalës është dëgjuar nga disa prej deputetëve të PDK’së, përfshirë edhe Shefin e Grupit Parlamentar, që kanë qenë vota vendimtare për të mbetur në fuqi dy nenet e Kodit Penal.

Reagojnë gazetarët

Me vendimin e Kodit Penal është tmerruar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Menjëherë pas votimit, kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, ka reaguar, duke e quajtur një kod i papranueshëm për AGPK-në dhe duke e vlerësuar si turp këtë veprim të deputetëve. “Si i tillë ky kod do të mbetet gjithë jetën i papranueshëm nga gazetarët e Kosovës, nga anëtarët e AGPK-së. Është vepër e turpit e këtyre njerëzve, të cilët flasin për demokraci, flasin për vepra perëndimore e realisht me votën e tyre me papërgjegjësinë e tyre sillen sikur të jenë të ndonjë vendi ku demokracia, liria e shtypit të njihen si nocione e le që të ekzistojnë.

AGPK-ja shumë shpejt do të bëjë publike listën e njerëzve, të cilët përdhunuan lirinë e shtypit të këtij vendi”, ka thënë Ahmeti. Ai ka thënë se gazetarët do të vazhdojnë të kryejnë punën, por kjo tregon që ky pushtet, këta deputetë nuk janë të gatshëm që ta çojnë Kosovën drejt vlerave evropiane dhe nuk janë të gatshëm që të bëjnë Kosovën ku ka liri të shprehjes. Kreu i AGPK-së ka shprehur keqardhje që në raportet ndërkombëtare Kosova tash për lirinë e shprehjes do të radhitet edhe më keq. Ndërsa Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), ka pranuar me shqetësim miratimin e Kodit Penal të Kosovës, nga ana e Kuvendit, së bashku me nenet 37 dhe 38, të cilat e cenojnë lirinë e shprehjes dhe të medieve. UGK konsideron se miratimi i këtyre dy neneve të Kodit Penal, pa ndryshimin e tyre është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unioni i Gazetarëve të Kosovës, është pro rregullimit të legjislacionit për mediet në Kosovë, duke përfshirë edhe Kodin Penal, por, kundërshton çdo lloj tendence e cila do ta dëmtonte lirinë e tyre dhe do ta vështirësonte punën e gazetarëve. UGK i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës, që sa më parë të nis procedurat e modifikimit të Kodit Penal, me theks të veçantë të pikave 37 dhe 38. i indinjuar me aprovimin e Kodit të ri Penal është shprehur edhe Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›