E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK do ta bojkotojë sërish presidenten Jahjaga

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk duhet t’i gëzohet faktit që të hënën në ceremoninë e organizuar nga ajo për ish-presidentin Ibrahim Rugova ka marrë pjesë lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partia e Isa Mustafës nga sot sërish do të vazhdojë mos ta njohë atë për presidente duke ia bojkotuar të gjitha organizimet që i bënë, siç ka ndodhur në muajt e fundit.

Sekretari i LDK-së Ismet Beqiri thotë se Presidenten Jahjaga dhe LDK-në të hënën i ka bashkuar figura e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Qëndrimin që ka pasur LDK-ja, për marrëveshjen mes liderëve, ku nënkuptohet edhe pjesa që ka të bëjë me presidenten mbetet i njëjtë, pa asnjë ndryshim në këtë drejtim, pavarësisht që dje ne kemi qenë në akademinë e organizuar nga Presidenca për presidentin Ibrahim Rugova. Po ashtu edhe presidentja ka qenë në akademinë që e ka organizuar LDK-ja”, ka thënë Beqiri për Tribuna Shqiptare.

Sipas tij, vetëm figura e Ibrahim Rugovës ka qenë shkaku që LDK nuk e ka bojkotuar aktivitetin e presidentes.

“E kemi thënë vazhdimisht se qëndrimi ynë mbetet ai që ka qenë, sepse nuk ka të bëjë me çështje personale por me çështje të parimeve rreth marrëveshjeve dhe rezolutës. Ne do të vazhdojmë të kemi qëndrimin e njëjtë. LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet të presidentes dhe as në mekanizmat institucionalë që i ka themeluar presidentja”, tha Beqiri./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›