E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK i bën presion

LDK’ja ka përsëritur edhe të shtunën kërkesën për dorëheqjen e Presidentes. Deputetja Vjosa Osmani tha se nëse Jahjaga vazhdon ta injorojë marrëveshjen, do të mbetet Presidente e PDK’së. Zyrtarët e kësaj partie paralajmëruan se presioni për largimin e Shefes së Shtetit do të rritet, por kjo parti po e konsideron mundësinë që zgjedhjet të mbahen edhe me ligjet e vjetra.

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon t’i bëjë presion Atifete Jahjagës për t’u larguar nga posti i Presidentes, në mënyrë që t’u hapet rruga reformave zgjedhore dhe kushtetuese. Madje, zyrtarë të partisë më të madhe opozitare këtë po e bëjnë edhe gjatë vizitave në terren.

Kështu, të shtunën, nga Gjilani, deputetët Lutfi Haziri e Vjosa Osmani kanë thënë se presioni opozitar do të rritet për ta detyruar Jahjagën që të largohet nga posti më i lartë shtetëror. Në të kundërtën, zyrtarët e LDK’së kanë thënë se Jahjaga mund të jetë Presidente e PDK’së, por jo e krejt Kosovës.

“Nëse nuk e respekton marrëveshjen, Jahjaga ajo çdo ditë për LDK’në do të jetë Presidente e PDK’së, sepse ajo nuk e përfaqëson unitetin politik dhe qytetar”, ka thënë Osmani të shtunën në Gjilan.

Presidentja Jahjaga ka ardhur në krye të shtetit, në bazë të një marrëveshjeje politike mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së, që parasheh mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale këtë vit, ndërsa ato parlamentare vitin e ardhshëm.

Situata është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Presidentes nuk mund t’i shkurtohet mandati me ndryshime kushtetuese.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›