VV: Mustafa si Thaçi, nuk çan kokën për hallet e qytetarëve
”Mos të harrojmë se ky buxhet është i të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe duhet të shpërndahet në investime në mënyrë proporcionale dhe sipas nevojave të tyre. Ndërtimi i shesheve në qendër dhe lënia anash e banorëve të lagjeve tjera, pa ujë dhe kanalizim tregon një injorim total të udhëheqjes së Komunës ndaj qytetarëve të Prishtinës”, thekson Vetëvendosje Qendra e Prishtinës.
Sipas saj, papërgjegjësia politike e pushtetarëve të Komunës së Prishtinës ka arritur kulmin.
”Në kohën kur në Prishtinë rriten shifrat e të papunëve, shtohen familjet që kërkojnë ndihmë sociale dhe në kohën kur kudo shohim rritje të varfërisë, Komuna e Prishtinës bënë shpenzimin më të madh kapital të saj në dy sheshe”, thekson Vetëvendosje.
Vetëvendosje thotë se pushteti i LDK-së nuk po investon në projekte afatgjate që do t''i zgjidhnin hallet e qytetarëve si në krijimin e vendeve të reja të punës, në furnizim me ujë të pijshëm, në arsim, shëndetësi, ndriçim publik etj. por në këto dy sheshe, sepse ky është një projekt tipik elektoral i cili shihet dhe me pallavrat e tyre për pllaka nga Gjermania, do të mundohen tua shesin qytetarëve sheshet në këmbim të votës së tyre të radhës.
”Njëjtë siç po vepron Qeveria Thaçi që nuk çanë kokën për zhvillim ekonomik, duke shtruar asfalt me çmime marramendëse edhe Isa Mustafa nuk po çan kokën për mirëqenien dhe nevojat e qytetarëve të Prishtinës duke koncentruar pjesën kryesore të buxhetit në sheshe”, thuhet në kumtesë.
”Edhe një çështje jo më pak e rëndësishme. Cila është ndërmarrja që po i ndërton sheshet? Së pari sheshin ”Ibrahim Rugova” e pastaj pas anulimit të kontratës paraprake edhe ”Sheshin Zahir Pajaziti”, tenderin e ka fituar ndërmarrja ”All Zone”.
Kjo është pikërisht ndërmarrja e cila hiç më larg se para dy vitesh e ka mashtruar Komunën e Prishtinës, me rreth 300.000 euro duke i shitur asaj një Kamion për zjarrfikje, i cili sipas doganës ka vlerë vetëm 11.000 euro. Këtë nuk e themi ne, por këtë e thotë Auditori i Përgjithshëm, i cili në vitin 2009 ka konstatuar se ”All Zone” e ka mashtruar Komunën e Prishtinës. Komuna do të duhej që këtë ndërmarrje ta fuste në listen e zezë, e jo ta shpërblej me kontrata shumëmilionëshe.
Komuna e Prishtinës, duhet tu sqarojë qytetarëve të Prishtinës se si një ndërmarrje e cila e ka mashtruar Komunën shpërblehet prapë me tenderë dhe kontrata milionëshe? Çfarë i kanë borxh pushtetarët e Prishtinës kësaj ndërmarrje që u dashka të shpërblehet me miliona?.
Duke parë të gjitha këto fakte ne si Lëvizje Vetëvendosje, besojmë që ka mjaftueshëm fakte që Prokuroria Publike të fillojë hetimet sipas detyrës zyrtare dhe të nis hetimin e tenderëve të ndërtimit të shesheve.
Faktet e Vetëvendosjes:
Në fund të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës, kishte paraparë të ndajë 2 milionë euro për ndërtimin e shesheve “Zahir Pajaziti” dhe “Ibrahim Rugova” në Qendër të Prishtinës. Ndërsa sot kjo shumë ka arritur në 11,416,985.48, gjegjësisht 4,772,150.78 euro për sheshin “Zahir Pajaziti” dhe 4,365,714.70 për sheshin “Ibrahim Rugova”.
Pas nënshkrimit të kontratave, Komuna e Prishtinës hapi tender plotësues prej 2,279,120.00 euro për furnizim me pllaka në sheshin “Ibrahim Rugova”, edhe pse kontrata paraprake parasheh deicidivisht këtë furnizim.
Kosto për ndërtimin e një metri katror të sheshit, qytetarëve të Prishtinës do t''iu kushtoi mbi 500 Euro. Kosto për ndërtimin e sheshit “Nëna Terezë” ka qenë rreth 200 euro/m2. Kemi të bëjmë me një shumëfishim të paarsyeshëm të çmimit. Nëse këto dy sheshe, Komuna e Prishtinës, do t’i ndërtonte me kosto të njëjtë me atë të sheshit “Nëna Terezë”, atëherë nga buxheti komunal do të kurseheshin në total rreth 6.3 milionë euro.
Sipas Nënkomiteteve të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, me këtë vlerë, prej 6.3 milionë eurosh, do të mund të realizoheshin një numër projektesh, të cilat janë themelore për mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës:
• Instalimi i rrjetit primar dhe sekondar të kanalizimit në lagjet “Mati 1”, “Kodra e Trimave”, dhe “Hajvali”,
• Do të mund të përmirësohej gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm për lagjet “Kodra i Diellit”, “Taslixhe”, “Sofali”, “Vneshta”, “Prishtina e Re”,
• Si dhe do të mund të përmirësohej sistemi i ngrohjes qendrore për lagjet “Dardani”, “Ulpianë” dhe “Kodra i Diellit”,
• 6,3 milionë eurot e kursyera do të ishin më se e mjaftueshme për fillimin e ndërtimit të Fabrikës së ujit në Fshatin Shkabaj, që ka qenë ndër premtimet e famshme të Kryetarit Isa Mustafa, e që po mbetet vetëm si i tillë.