Ankesë Quintit

Për Albin Kurtin, Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nuk është asgjë më shumë se një realitet i ri i strehimit të misioneve ndërkombëtare.
Në një letër dërguar vendeve të Quintit, Kurti i konsideron si mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar.
Sipas tij, pas 10 Shtatorit asgjë nuk do të ndryshojë për të mirë në Kosovë, por do të ketë vetëm zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare që i kanë sjellë dëm shtetit.
“Do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB’së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, dhe në rastin më të mirë është e definuar si ‘neutrale ndaj statusit’.
Përveç kësaj, ne përballemi me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit tonë ekonomik nga një proces i korruptuar i privatizimit”, ka shkruar Kurti në një letër dërguar ambasadorëve të SHBA’së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.
Kurti shton se nuk ka shumë arsye për të festuar largimin e ICO’së, kur “tentakulat” e saj do të mbeten”.
Udhëheqësi i Vetëvendosjes ka kundërshtuar edhe vazhdimin e misioneve ndërkombëtare, duke thënë se ato askujt nuk i japin llogari dhe rrjedhimisht janë të dëmshme për Kosovën.
“Prania e tyre e vazhdueshme e dobëson demokracinë tonë tashmë të brishtë”, ka shtuar ai.
Sipas Liderit të Vetëvendosjes, nga Kosova po largohet misioni i vetëm që e kishte njohur pavarësinë, ndërsa po mbesin edhe tri misione neutrale ndaj statusit.
“Ju do të prisnit që do të na gjente të kënaqur fakti që një nga katër misionet ndërkombëtare në Kosovë, me fuqi ekzekutive, i cili ishte edhe misioni i vetëm që e ka njohur zyrtarisht pavarësinë tonë, është duke u larguar. Megjithatë, largimi i tij zyrtar ka pak rëndësi kur mandati i tij - zbatimi i Planit të Ahtisaarit - ka pasur efekte të përhershme dhe të dëmshme për vendin tonë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, vendi ynë ndodhet në një pikë kritike në mbijetesën e shtetësisë së tij.
“Nuk është koha për festime të rreme, të cilat janë duke u përdorur nga elita jonë politike e korruptuar dhe e diskredituar për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të mashtruar mizorisht popullin tonë”, thekson ndër të tjera Kurti
Sipas tij, Plani i Ahtisaarit dhunshëm e ka bërë Kosovën shtet multietnik, duke u munduar të shlyejë identitetin e shqiptarëve.
Kurti, i cili vazhdimisht ka qenë kundër mënyrës se si e kanë udhëhequr ndërkombëtaret Kosovën, u ka thënë vendeve të Quintit se vazhdimi i mandatit të EULEX’it është bërë duke e shkelur sovranitetin e shtetit.