E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhja për veriun nuk do të kënaqë asnjërën palë

Zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës nuk do të jetë e shpejtë dhe nuk do të jetë një zgjidhje që do të kënaqë palën kosovare dhe atë serbe. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë që procesi i përmbylljes së pavarësisë po përfundon me 10 shtator, por sipas tij, Kosova nuk po bëhet tërësisht e pavarur.

Numri dy i legjislativit në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, ka thënë se edhe pas 10 shtatorit misioni i EULEX-it mbetet në Kosovë, që sipas tij Kosova nuk është e pavarur dhe pa ndërvarësi.

“Në qoftë se dikush mendon që ne me datën 10 do të jemi një shtet i pavarur pa ndërvarësi është gabim, sepse vetë fakti që ne po e pranojmë EULEX-in dhe institucionet e tjera që kanë përgjegjësi për Kosovën është që ne po përpiqemi që pas kësaj që është quajt kontroll i pavarësisë së Kosovë të jemi në trend të zhvillimit të Kosovës në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe drejtësinë edhe institucionet, por edhe zhvillimin ekonomik për t’u përafruar me vendet e Evropës”, ka theksuar Haliti.

Nënkryetari Haliti ka vlerësuar se zgjidhja për veriun e Kosovës nuk do të jetë e shpejtë dhe, sipas tij, kjo zgjidhje nuk do të kënaq asnjërën palë.

“Sa i përket çështjes së Mitrovicës, unë nuk do ta kisha quajtur monopol të dikujt çështjen e Mitrovicës. Ky është një proces i cili po ndodh dhe nuk do të jetë i shpejtë, nuk do të jetë një zgjidhje as e kënaqshme as për idenë e palës ta quaj Kosovë, por as nuk do të jetë e realizume në tërësi ajo që do të tentoj Serbia. Problemi ekziston dhe si problem duhet të zgjidhet. Unë e di që të gjithë jemi për rregullimin e kësaj çështjeje, por rëndësia për mua që është shumë e rëndësishme për të gjithë është se askush në botë nuk është për ndryshimin e kufijve ekzistues të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Qeveria e Kosovës pritet që të hyjë në dialog politik me Serbinë pa ndonjë platformë, por sipas nënkryetarit Haliti platforma e institucioneve të Kosovës është pakoja e Ahtisarit.

“Nuk është e vështirë platforma. Ne e dimë se çfarë duhet, cili është qëndrimi ose cila është vija e kuqe e përcaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe parlamenti. Është pakoja e Ahtisarit. Tutje kësaj pastaj mund të ketë probleme. Kjo duhet të jetë platforma. Ndërsa platforma, në qoftë se mendohet me bërë orarin kur me shkuar në Bruksel e kur me u kthyer është diçka tjetër”, ka thënë ai.

Për Halitin është e rëndësishme që të këtë unitet në dialogun politik të Kosovës. Por, siç ka thënë ai, jo të përfitoj ndonjë subjekt politik poenë politikë me qëndrime kundër dialogut.

“Mirë është me pas unitet. Por duhet me dalluar kush është përgjegjës dhe kush nuk është përgjegjës. Në qoftë se opozita mendon të përfitojë politikisht, që të përfitojë pikë me qëndrime kundër bisedimeve, unë mendoj që e ka gabim. Bisedimet duhet të zhvillohen, sepse për atë jemi në politikë. Ne duhet t’i zgjidhim çështjet dhe përgjegjësia është e madhe e Qeverisë, nëse nuk i bën zgjidhje këtyre problemeve dhe çështjeve të cilat realisht, jo po na detyron me presion, siç po pretendon dikush. Në qoftë se je në institucione, ti e merr përgjegjësinë për me shërbyer dhe me zgjidh problemet”, ka deklaruar nënkryetari Haliti.

Për më tepër, ai thotë se në këto bisedime Kosova dhe Serbia shkojnë të bisedojnë si dy shtete, duke tërhequr vërejtjen që asnjë delegacion i Kosovës nuk guxon të paraqitet si vasal i Serbisë. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›