LDK-ja dhe AAK-ja shpresojnë t’i fitojnë zgjedhjet me “elektoratin e fjetur”

Njohësit e rrethanave politike në vend thonë se meqë në Kosovë ka keqqeverisje, qytetarët e saj nuk e kanë luksin që të refuzojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. “Është për t’u çuditur fakti që elektorati më i pakënqaur zakonisht është ai që refuzon të dalë në zgjedhje”, ka thënë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
LDK dhe AAK, shpresojnë ta largojnë nga pushteti PDK-në përmes bindjes për të marrë pjesë në zgjedhje të qytetarëve që në garën e fundit nuk kanë dalë fare në votime.
Në këto dy subjekte kanë thënë që janë të angazhuar për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare, shkruan Koha Ditore.
Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, ka thënë se vetëm me rritje të pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje, Kosova mund ta largojë keqqeverisjen, e cila sipas saj identifikohet me PDK-në.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se pjesëmarrja më e madhe e qytetarwve në zgjedhje do të largonte keqqeverisjen nga vendi./Indeksonline/